Veseli u premton vushtrriasve Park të Biznesit në Lum të Madh dhe zonë ekonomike në Bajskë

Në një tubim elektoral në Vushtrri, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është parti që jeton me ndryshimin, e bën ndryshimin dhe e sjellë zhvillimin ekonomik.

Lajme

16/10/2017 20:04

Ai ka thënë se Vushtrria është shembull i fuqishëm i qeverisjes së mirë të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ne jemi krenarë me modelin e qeverisjes së mirë të profesorit të nderuar Bajram Mulaku dhe do të vazhdojmë me një njeri po aq të përkushtuar, po aq punëtor, po aq të afërt me qytetarët, do të vazhdojmë me Ferit Idrizin, kryetarin e ri të Vushtrrisë”, ka thënë Veseli.

Në katër vjetët e ardhshëm, nën drejtimin e Ferit Idrizit, Veseli ka thënë se Komuna e Vushtrrisë do të zhvillohet në të gjitha drejtimet.

“Ju jap fjalën se bashkë me Ferit Idrizin kryetar, asnjë fermerë i Vushtrrisë nuk do të mbetet pa subvencione dhe grante. Me fondin e punësimit, të rinjtë dhe të rejat që kanë ide biznesore, do të mbështeten edhe financiarisht. Komuna do të jetë në shërbim të plotë të njerëzve punëtorë të Vushtrrisë. Projektet në infrastrukturën rrugore do të përmbyllen në tërësi. Çdo projekt i kryetarit Idrizi në fushën e arsimit e shëndetësisë do ta ketë mbështetjen e plotë financiare nga qeveria”, ka thënë Veseli.

Komuna e Vushtrrisë, sipas Veselit, do të jetë partneri më i madh i sipërmarrësve të Vushtrrisë dhe ky është partneriteti i zhvillimit që e garanton Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se qeverisja e PDK-së ka objektiva të qarta, konkrete dhe të matshme.

Me qeverisjen e PDK-së, Idrizi ka thënë se në 66 fshatra dhe në qytetin e Vushtrrisë janë investuar rreth 110 milionë euro.

Ai ka premtuar se do ta hapë edhe Parkun e Biznesit në Lum të Madh prej 14 hektarësh, si dhe zonën ekonomike në Bajskë me 70 hektarë.

Kandidati i PDK-së për Kryetar të Vushtrrisë ka premtuar se do t’i ndërlidhë edhe shkollat profesionale të Vushtrrisë me prodhuesit e Vushtrrisë dhe tregun e punës.