Veseli: Trepça do të ketë perspektivë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim me qytetarë në Mitrovicë tha se nuk ka forcë që i ndalë qytetarët e Republikës së Kosovës për të jetuar në pjesën veriore, madje foli me optimizëm për Trepçën në rast se koalicioni i partisë së tij i fiton zgjedhjet.

Lajme

30/05/2017 17:51

Veseli tha se nuk duhen fjalë por vepra, dhe thirri që të bëhet më shumë për Trepçën e jo të merret vendim në tre ditët e fundit.

“Minatorët nuk kanë nevojë për lëmoshë, por ne kemi nevojë për minatorët”, tha Veseli.

Ai bëri të ditur se populli ynë ka nevojë për produktin mineral, në mënyrë që ky produkt të përpunohet.

“Trepca do të ketë perspektivë për aq sa do të kenë shumë miniera që do të hapen anembanë Kosovës”.

“Ne do të vazhdojmë me platformën e Fillimit të Ri, investimin në qytetin dikur më industrial dhe urban në Republikën e Kosovës”.

Ai përmendi investimet që kanë ndodhur në qeverisjen e PDK-së si qendra e biznesve ndërkombëtare, palestra sportive dhe liqeni e sheshi që janë përfunduar gjatë mandatit të kësaj partie.

“Do të ketë investime në Mitrovicë, nuk do ta lëmë të duket si turp, krenaria industriale”.

“Aty do të lulëzojnë qendra rekreative dhe të biznesit”.

“Ky projekt do ta transformojë Mitrovicen nga një qytet të mbyllur në 17 vjetët e fundit në qytet të hapur”.

“Mitrovicasit nuk do të ikin nga Mitrovica, por do të kthehen edhe ata që kanë ikur, të jetojnë në Mitrovicën tonë”, tha ai.