Veseli: Transformimi ekonomik nuk mund të arrihet pa rolin e grave

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në Konferencën “Roli i Gruas në zhvillimin ekonomik në Kosovë: tejkalimi i barrierave”, se gjithpërfshirja e grave në shoqëri dhe institucione është kusht i domosdoshëm që të mund të kemi një shtet funksional demokratik, ekonomi të zhvilluar dhe mirëqenie sociale për qytetarët tanë.

Lajme

26/04/2017 10:40

Ai tha se transformimi ekonomik i vendit nuk mund të arrihet asnjëherë pa rolin aktiv të grave në të gjitha fushat e jetës sociale. Sipas tij, këtu qëndron arsyeja pse barazia gjinore nuk duhet trajtuar si formalitet standardesh ligjore, por si interes i mirëfilltë nacional i shtetit.

“Pa i dhënë një status të tillë barazisë gjinore, mundësive të barabarta të grave në shoqëri, nuk mund të bëjmë përparim në qëllimet tona strategjike për integrim në strukturat euro-atlantike”, theksoi Veseli, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Ai shtoi se shoqëria e Kosovës, legalisht është shoqëri ku ndalohet çdolloj diskriminimi, pra edhe diskriminimi gjinor, por, sipas tij, në realitetin e përditshëm social ekzistojnë praktika të diskriminimit të grave.

“Ne duhet t’i përkrahim gratë kosovare, me subvencionim të projekteve të tyre, në prodhim dhe industrinë e shërbimeve, si dhe me kredi investive, duhet t’i mbështesim gratë me edukim, shkencë, shëndetësi, që të bëhen menaxhere të suksesshme të burimeve njerëzore, mjeke të barabarta me koleget e tyre evropiane, profesoresha që transmetojnë imazh pozitiv për vendin me prezantimet e tyre në tryezat shkencore ndërkombëtare, sipërmarrëse të suksesshme në sektorin privat”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.

Ai shtoi se suksesi i grave në ekonomi, edukim e shkencë, e bën edhe më të fuqishëm përfaqësimin e tyre politik në Kuvendin e Kosovës, në qeveri dhe diplomaci.

“Suksesi i grave në shoqëri është garancia më e mirë se shoqëria dhe shteti janë duke ecur në drejtimin e duhur”, tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.