Veseli takon Reichel, vlerëson mbështetjen gjermane

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takim lamtumirës me të dërguarin gjerman për Evropën juglindore, Ernst Reichel

Lajme

23/06/2016 18:46

Kryetari Veseli theksoi nevojën e vazhdimit të mbështetjes gjermane për Kosovën, sidomos në rrafshin ekonomik.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi ambasadorin Reichel për mbështetjen e gjithanshme që shteti gjerman ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat dhe shtroi nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen, sidomos në rrafshin ekonomik.

Ai e njoftoi diplomatin gjerman për gjendjen në Kosovë dhe hapat që institucionet e vendit kanë ndërmarrë në shumë fusha.

Reichel, nga ana e tij, konfirmoi përkushtimin e plotë të Berlinit zyrtar dhe të tij personal, për të vazhduar mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit e të integrimit euro-atlantik.

Reichel gjendet në përfundim të mandatit të tij si i deleguar i Ministrisë së Jashtme gjermane për Evropën juglindore. Duke e falënderuar për kontributin e tij të deritashëm, kryetari Veseli i uroi diplomatit gjerman suksese në aktivitetin e mëtutjeshëm diplomatik./lajmi.net