Veseli takon ambasadorin Delawie, flasin për dialogun

Kryekuvendari, Kadri Veseli, ka nisur sot ditën e punës në takim me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, për të diskutuar për fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe për dy seancat parlamentare që pritet të mbahen sot në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

04/09/2018 09:43

Pas takimit  me ambasadorin amerikan, Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se SHBA-të mbështesin përfundimin e suksesshëm të dialogut, i cili, siç ka thënë Veseli, siguron stabilitet dhe paqe në Ballkan, ndërsa Kosovës i hap rrugë drejt anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE.

“Në takim me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, rikonfirmova përkushtimin e institucioneve të Kosovës për fazën finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë proces është jetike që si shtet të kemi një konsensus dhe platformë të përbashkët. SHBA-të mbështesin përfundimin e suksesshëm të dialogut, i cili siguron stabilitet dhe paqe në Ballkan, ndërsa Kosovës i hap rrugë drejt anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE”, ka shkruar ai.