Veseli takoi Ruçi: Kosova ka në dispozicion gjithë përvojën parlamentare të Shqipërisë

Pas takimit me Ilir Metën, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka takuar homolgun e tij, Gramoz Ruçi.

Lajme

25/05/2018 19:32

Në këtë takim, siç njofton kuvendi, të dy kryeparlamentarët kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në të dyja vendet, jetën parlamentare në Kosovë e Shqipëri, si dhe për shtrirjen e mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe parlamenteve.

“Kryetari Veseli e njohu kreun e Kuvendit të Shqipërisë me angazhimet e legjislativit kosovar për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese dhe sidomos përkushtimin për të çuar përpara agjendën evropiane të vendit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet se Kryeparlamentari Ruçi shprehu vullnetin për ta ndihmuar Kuvendin e Kosovës me përvojën parlamentare të Shqipërisë.

“Ruçi ritheksoi vullnetin e legjislativit shqiptar për të vënë në dispozicion të Kuvendit të Kosovës gjithë përvojën parlamentare, sidomos në rrafshin e integrimit evropian”, thuhet në komunikatë.