Veseli takoi kongresmenin David Price, kryetar i Komisionit të HDP-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Uashington, ka takuar kongresmenin Davis Price, kryetar i Komisionit House Democracy Partnership (HDP), që përkrah zhvillimin e legjislaturave të pavarura.

Lajme

17/04/2016 11:04

 

Veseli e informoi kongresmenin Price me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, agjendën, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kuvendi.

Ai me këtë rast theksoi se me përgjegjësi promovon transparencën dhe lehtësimin e qasjes së qytetarit në legjislativ, si parime bazë të legjislaturës aktuale.

Kryeparlamentari Veseli dhe kongresmeni Price, trajtuan nevojën e shkëmbimit të përvojave legjislative dhe vazhdimin e bashkëpunimit në mes të Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Kosovës. Kosovës i duhet ndihma për ngritjen e kapaciteteve të Kuvendit, të komisioneve dhe administratës, në veçanti mbikëqyrjes legjislative dhe buxhetit, theksoi me këtë rast Kryetari Veseli.

Kongresmeni Price vuri në pah se HDP bën promovimin e zhvillimit të demokracisë në mbarë botën si objektiv kryesor i politikës së jashtme amerikane, duke theksuar se është e drejtë e të gjithë njerëzve që të kenë rol në punët e vendit të tyre. Ai më tej ceku se HDP punon drejtpërdrejt me 17 shtete partnere në mbarë botën për të mbështetur zhvillimin e institucioneve legjislative efektive, të pavarura dhe të përgjegjshme.

Kryetari Veseli e falënderoi Kongresmenin Price për bashkëpunimin e deritashëm dhe theksoi se fushat me interes për HDP janë me interes edhe për Kuvendin e Kosovës, sepse i shërbejnë fuqishëm forcimit të institucioneve demokratike.

Bashkëbiseduesit shprehen përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral duke e begatuar me përmbajtje të reja në fushat e interesit të përbashkët./lajmi.net

33 22 1111