Veseli takohet me drejtorët ekzekutivë të Bankës Botërore, diskutojnë për “Kosovën e Re”

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me drejtorët ekzekutivë të Bankës Botërore, me të cilët ka diskutuar për gjendjen ekonomike në Kosovë, përparimet që janë shënuar në këtë fushë, sidomos në fushën e legjislacionit, por edhe për hapat që duhet ndërmarrë për të përmirësuar më tej situatën ekzistuese.

Lajme

28/03/2017 17:46

Duke theksuar nevojën e një klime sa më të favorshme për të bërë biznes në Kosovë dhe për tërheqje të investitorëve të huaj, kryeparlamentari Veseli ka vlerësuar se legjislacioni duhet të jetë stimulues për biznesin, duke nxitur prodhimin dhe forcuar eksportin, transmeton lajmi.net

Në këtë drejtim, ai ka shprehur përkushtimin e tij që Kuvendi të krijojë bazë sa më të përshtatshme ligjore për të hequr barrierat burokratike dhe për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm për iniciativën e lirë ekonomike.

Pikë e veçantë e diskutimit ka qenë edhe fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, rehabilitimi i termocentralit “Kosova B”, si dhe gjetja e formave tjera alternative për prodhimin e energjisë në Kosovë

Në këtë kontekst, kryeparlamentari Veseli ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke i siguruar drejtorët ekzekutivë se institucionet e Kosovës do t’i përmbushin të gjitha obligimet që ky projekt të jetësohet në afatin sa më të shpejtë

Drejtorët ekzekutivë të Bankës Botërore, nga ana e tyre, shprehën falënderimin për pritjen nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shprehën vlerësimet e tyre për arritjet që ka pasur Kosova që nga paslufta. /Lajmi.net/