Veseli: Shkëmbimi i përvojave me Panamanë, në dobi të Kosovës

Kryekuvendari Kadri Veseli gjatë vizitës në Panama, sot është takuar me kryetarin e Gjykatës Supreme të këtij shteti, Jose Ayu Prado.

Lajme

19/03/2015 19:51

Veseli ka biseduar me Pradon për konsolidimin e sundimit të ligjit, për zbatimin e kontratave dhe mbrojtjes së pronës, e cila ka mundësuar që Panamaja të ketë një nivel të lartë të investimeve të huaja. Andaj, sipas Veselit, shkëmbimi i përvojave në këto fusha do të ndihmonte Kosovën të përmirësojë veten.

“Gjatë vizitës në Panama pata një takim me kryetarin e Gjykatës Supreme të Panamasë, Z. Jose Ayu Prado, i cili është një ndër personalitetet më të rëndësishëm në Panama, si dhe një ndër juristët me më shumë ndikim në mbarë Amerikën Latine. Ai na tregoi gjithashtu se si autoriteti i tij shtrihet edhe në Parlamentin e Amerikës Qendrore (PARLACEN), ku do përpiqet të promovojë Kosovën. Bashkë biseduam se si konsolidimi i sundimit të ligjit, mundësimi i zbatimit rigoroz të kontratave dhe mbrojtja e pronës private ka luajtur një rol kyç në faktin që Panamaja sot ka një nivel të lartë investimesh të huaja dhe ka siguruar rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon. Ne jemi të angazhuar që të ndërmarrim të gjitha reformat e nevojshme legjislative për të mundësuar një ekonomi funksionale të tregut prandaj shkëmbimi i përvojës në fushën e sistemit të drejtësisë është me leverdi të madhe për vendin tonë”, shkruan Veseli në Facebook.