Veseli: Punësimi është plaga që sot e ka Kosova

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se programi i kandidatit për kryetar të Rahovecit, Idriz Vehapi, është platforma e cila është pranë gjithë qytetarëve.

Lajme

24/09/2017 17:50

Ai gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, tha se në qytetin e Rahovecit nuk ka kandidat tjetër i cili është më afër qytetarëve sesa kandidati i PDK-së Idriz Vehapi. “Ne e kemi një partneritet qeverisës në Komunën e Rahovecit dhe nuk e di a kemi kryetar më të denjë sesa Idriz Vehapi. Në aspektin familjar, njeri shumë i dashur. Në aspektin publik, njeri i vendosur.

Me Idriz Vehapin Rahoveci ka perspektivë, është afër fermerit, vreshtorit, bujkut dhe pa lajka. Kush është forca e ndryshimit të Rahovecit? Jeni ju, qytetarët. Ajo çka na duhet sot është zhvillimi dhe kjo është ajo që do ta bëjnë PDK-ja bashkë me kryetarët e komunave”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së gjatë takimit me vreshtarët e Rahovecit ka potencuar rëndësinë që ka sektori i vreshtarisë në ekonominë vendore, ndërsa tha se vazhdon të mbetet plagë për Kosovën çështja e të punësuarve.

“Subvencionet, përkrahja, çështja e granteve është ende pak. E dimë. Do të shtohen subvencionet për tregtarët në fushën e vreshtarisë. Do të përkrahen edhe më fuqishëm blegtorët, pemëtarët. Punësimi është plaga që sot e ka Kosova”, ka thënë ai. Kandidati i PDK-së për të parin e Rahovecit, Idriz Vehapi, i cili garon në zgjedhjet lokale për mandatin e dytë, ka thënë se edhe në mandatin e ri do të jetë sërish kryetari që bën më se shumti trysni tek institucionet e vendit sa i përket sektorit të bujqësisë.

Ndryshe, shpalosja e programit qeverisës të PDK-së për qytetin e Rahovecit do të bëhet në orën 19:30, në shtëpinë e kulturës në Rahovec.  /21media/