Veseli: Problemet në Maqedoni nuk janë të Kosovës (Video)

Kryetari i Kuvendit te Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për zhvillimet në Kumanovë, ku ka shprehur keqardhje për humbjet që kanë pësuar banorët atje.

Lajme

12/05/2015 13:15

Ai, pas mbledhje së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Kosova është e interesuar për fqinjësi të mirë dhe se Ballkani ka nevojë për paqe dhe për dialog.

Ndërsa, lidhur me ndonjë qëndrim të Prishtinës zyrtare, Veseli tha se kjo çështje i takon spektrit politik maqedonas që ta zgjidhë.

“Kosova respekton fqinjësinë e mirë, Ballkani ka nevojë për më shumë paqe dhe reflektim të mirëkuptimit dhe të dialogut, por problemet në Maqedoni nuk janë probleme të Kosovës. Atje duhet të ketë më shumë mirëkuptim dhe mirëbesim mes faktorëve politik brenda shtetit të Maqedonisë”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, lidhur me ligjin për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, kryeparlamentari Veseli nuk ka bërë të ditur se kur kjo çështje do të jetë në rend dite në Kuvend, duke mohuar se ky proces nuk është duke u zvarritur.

“Ne gjatë kësaj seance kemi diskutuar për pikat e seancave të 15 dhe 18 majit. Ne do të takohemi prapë të hënën dhe pastaj do të procedojmë” .

“Nuk ka zvarritje, jemi në proces. Kemi një agjendë të ngjeshur, jemi duke vepruar bashkërisht, kemi mirëkuptim edhe të partnerëve ndërkombëtar”.

“Ajo që është kryesorja, është se na duhet konsensus nacional”, është shprehur Veseli.

YouTube player