Veseli për falsifikimet e nënshkrimeve: Nuk lejoj të dëmtohet imazhi i Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur pas zhvillimeve të fundit me rastin e manipulimit me vota të opozitës për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në lidhje me liberalizimin e vizave.

Lajme

04/12/2018 18:11

Ai ka thënë se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë dy shkresa ku deputetët kanë njoftuar se nuk kanë qenë fare në dijeni për temën e mbajtjes së seancës, shkruan lajmi.net.

Veseli ka shtuar se dy nënshkrime janë dhënë para më shumë se një muaji, ndërkaq që janë përdorur tani.

“Ne kemi marrë  dy shkresa. Dy deputetë kanë treguar se fare nuk kanë qenë të njoftuar se për çka është thirrur seanca e jashtëzakonshme. Ato nënshkrime janë dhënë para një muaj e gjysë ndërsa janë përdorur tani. Nuk duhet të krijojmë precedent që rrezikojmë demokracinë”, ka thënë ai.

Veseli po ashtu ka thënë se opozita po i legjitimon vetë shkeljet e saja.

Megjithatë, kryetari i Kuvendit ka thënë se është i vendosur që mos të krijohet precedent.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se as vetë kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti nuk e ka njoftuar atë për nënshkrimet të cilat ishin jo legjitime.

“Kjo e cila është tani me këto manipulime e lëndon demokracinë. Tani vazhdojmë seancën plenare të orës 17:00 dhe nëse kemi kërkesë të opozitës do ta thërasim përsëri seancën e jashtëzakonshme”, ka përfunduar Veseli. /Lajmi.net/