Veseli: PDK është parti e lirisë, veprimit dhe ndryshimeve të mëdha (Foto)

Partia Demokratike e Kosovës e ka mbajtur sonte një tubim të madh elektoral me mijëra qytetarë në Prizren.

Lajme

22/09/2017 19:15

Në sheshin e Lidhjes, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka prezantuar të gjithë kandidatët për kryetarë dhe asamblistë të komunave të PDK-së.

Si përfaqësues të zgjedhur nga PDK-ja, Veseli ka thënë se në qytetin emblematik të Republikës sonë duam të përçojmë mesazhin e përbashkët të përgjegjësisë, reflektimit dhe vendosmërisë sonë, se shteti ynë është i shenjtë, ashtu si edhe liria jonë, se asgjë më shumë nuk i jep kuptim lirisë sesa angazhimi dhe kontributi ynë për një jetë më të mirë për qytetarët tanë, për zhvillimin e vendit dhe fuqizimin e sovranitetit tonë.

“Ne besojmë në shtetin tonë, lirinë tonë, sovranitetin dhe në institucionet tona. Ne besojmë në partnerët tanë perëndimorë, në të sotmen që jetojmë dhe të ardhmen që po ndërtojmë, sepse ne jemi parti e lirisë, parti e veprimit, ne jemi Forca e Ndryshimit dhe forca e fitores për Kosovën”, ka thënë Veseli.

Kandidatëve të PDK-së për kryetarë komunash dhe asamblistë, i pari i PDK-së u ka thënë se zgjedhja e tyre ka vetëm një qëllim: t’i shërbeni qytetarit, sepse në jetë nuk ka asgjë më sublime sesa t’i shërbesh dhe t’i ndihmosh të tjerët.

“Zgjedhja juaj me besimin e votuesit, ju hap rrugën e privilegjit të fituesit, por edhe të përgjegjësisë jetësore, sepse ju do të gjykoheni pikërisht mbi atë se çfarë do të bëni për bashkëqytetarët tuaj. Si kryetar i PDK-së, dëshiroj që ta kuptoni se ju jeni gjenerata e re e PDK-së, jo nga mosha, por nga koncepti politik që bartni. PDK-ja ka nevojë për çdo qytetar që është i gatshëm të kontribuojë për vendin. Është partia më e hapur e mundësive dhe marrjes së përgjegjësive. Si parti, jemi krenar me të arriturat, por edhe reflektues për të metat dhe gabimet në të kaluarën”, ka thënë Veseli.

Ai ka theksuar se nuk do t’i tolerojë fenomenet e papërgjegjësisë politike, burokratike dhe korrupsionin e zyrtarëve publikë.

“Ne e kemi filluar ndryshimin. Partia Demokratike e Kosovës po dëshmon që ka forcë për të ndryshuar, sepse sot para nesh kemi rreth 80 për qind të kandidatëve që për herë të parë kërkojnë besimin e qytetarëve. Provë e forcës sonë të ndryshimit është edhe numri i kandidateve gra, me të cilat jemi krenarë dhe të vendosur për një përfaqësim edhe më cilësor në çdo institucion”, ka thënë ai.

Kreu i PDK-së ka thënë se rinia do të mbetet prioritet në çdo komunë, ashtu si në institucionet qendrore, ku katër nga gjashtë ministrat e PDK-së janë të rinj.

Lideri i PDK-së është zotuar se përfaqësuesit e PDK-së në krye të komunave dhe në kuvendet komunale do të shndërrohen në model të transparencës dhe integritetit.

“Në fushën e investimeve, ju siguroj se çdo projekt i kandidatëve tanë është i kalkuluar mirë financiarisht dhe do të realizohet… për të thënë pa modesti që kandidatët e partive të tjera s’mund t’i qëndrojnë deri në fund premtimeve të tyre”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se prodhuesit, tregtarët, zanatçinjtë, pronarët e bizneseve të vogla e të mesme, fermerët, blegtorët, të gjithë qytetarët e angazhuar në sektorë të ndryshëm, do të gjejnë tek PDK-ja partnerët dhe aleatët e forcimit dhe zgjerimit të veprimtarive të tyre ekonomike.

“Për një apo më së shumti dy vjet, Kosova do t’i përfundojë lidhjet e veta cilësore si infrastrukturë rrugore me vendet e rajonit dhe të BE-së, dhe PDK-ja është më meritorja për këtë”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se të gjithë e dinë, sado që janë kritikë ndaj nesh, se atë që kemi premtuar si parti e kemi bërë dhe do ta bëjmë edhe më fuqishëm në të ardhmen.

“Kemi arritur nivele mesatare të jetesës dhe më lartë se vendet që kanë traditë mbi 100 vjeçare si shtete. Kemi arritur ndryshime pozitive në vitet e fundit sa nuk njeh mbamendja jonë historike në këtë tokë. Si bashkëqytetar i juaji, ju ftoj me plot shpresë dhe vendosmëri që të punojmë për ta ndryshuar gjendjen dhe ju siguroj se do ta ndryshojmë”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se vendi ka perspektivë dhe i pacenuar do ecë edhe më fuqishëm përpara.

skren1 skren2 skren3