Veseli: Opozita është vetëfutur në kurthin e sfidimit të shtetit

 Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka komentuar lidhur me arrestimet e djeshme të aktivistëve të Vetëvendosjes, si dhe të deputetit Albin Kurti.

Lajme

29/11/2015 13:18

Veseli thotë se policia është sjellë konform ligjeve dhe se “opozita me veprimet e saj të pamatura, është vetëfutur në kurthin e sfidimit të shtetit”, raporton lajmi.net.

 

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të kryeparlamentarit Veseli:

Në Republikën e Kosovës politika dhe drejtësia janë të ndara nga njëra tjetra dhe në këtë kontekst arrestimet e deputetëve nuk mund dhe nuk duhet të shihen as si formë e ndikimit politik e as si zgjidhje politike. Problemet politike duhet të zgjidhen vetëm me mjete politike.

Veprimet e organeve të rendit dhe drejtësisë, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë në funksion të fuqizimit dhe funksionimit të shtetit ligjor, i cili është interes madhor i vendit tonë.

Ne nuk duhet të lejojmë, që për asnjë moment, të vëmë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit ligjor, nga kushdo qoftë!

Opozita me veprimet e saj të pamatura, është vetëfutur në kurthin e sfidimit të shtetit.

Tash e dy muaj kam tërhequr vëmendjen për këtë rrezik.

Në rrethanat e krijuara nuk është e rëndësishme se kush triumfon, pozita apo opozita ; ai që duhet të triumfoj është shteti ligjor, Republika e Kosovës.

Tani më shumë se kurrë duhet t’i rikthehemi dialogut politik institucional.

Ka shumë rrugë dhe hapësirë për ta bërë këtë. I ftoj të gjithë, në rradhë të parë opozitën, që sëbashku të ecim në këtë drejtim.

Qytetarët e Republikës së Kosovës e presin këtë përgjegjësi nga ne.