Veseli në Rahovec: Grantet dhe subvencionet për fermerët dhe vreshtarët do të shumëfishohen

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim elektoral me vreshtarë dhe verëtarë në Rahovec, ka thënë se kjo komunë dhe e gjitha Kosova po bëhen gati për të festuar më 22 tetor.

Lajme

16/10/2017 20:32

Veseli ka thënë se vizioni i PDK-së për qeverisjen komunale garanton ndryshim dhe zhvillim, sepse në Kosovë ka veç një forcë të ndryshimit dhe ajo është Partia Demokratike e Kosovës.

“Nga të katër anët e Kosovës kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar komunash po bëjnë dallimin e madh me të tjerët. Vetë Rahoveci është shembull i fuqishëm i këtij dallimi. Idriz Vehapi është kryetari që secila komunë e Kosovës do të kishte dëshirë ta kishte për kryetar. Ne ndihemi krenarë me Idrizin, me punën e tij, me lidershipin e tij zhvillimor në krye të Komunës së Rahovecit”, ka thënë Veseli.

Komuna e Rahovecit, sipas Veselit, është shembull se si u shërbehet qytetarëve me transparencë dhe barazi.

“Me Idriz Vehapin, Rahoveci është bërë komuna më transparente në Kosovë. Komuna me përqindjen më të lartë të realizimit të buxhetit. Me Idriz Vehapin kryetar, Komuna e Rahovecit është bërë një mekanizëm i fuqishëm në përkrahje të prodhuesve, duke hequr taksat komunale për prodhuesit, për bizneset e vogla. Ne do të vazhdojmë me Idriz Vehapin kryetar t’i mbështesim prodhuesit e Rahovecit edhe më fuqishëm. Grantet dhe subvencionet për fermerët e Rahovecit, për vreshtarët e Rahovecit, do të shumëfishohen”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se asnjë prodhues i Rahovecit nuk do të mbetet jashtë sistemit të ujitjes, të cilin do ta zgjerojnë për të përfshirë gjithë tokën e punueshme të Rahovecit.

“Përkrahja për fermerët e Rahovecit është përkrahje për zhvillimin e gjithë Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, kandidati për Kryetar të Rahovecit, Idriz Vehapi, njëherësh kryetar aktual i kësaj komune, ka thënë se deri më tash kanë jetësuar projekte të shumta në infrastrukturën rrugore dhe shkollore, në vreshtari dhe në nënsektorët e tjerë të bujqësisë dhe blegtorisë.

Ai ka premtuar se përkrahja për çdo prodhues në Rahovec vetëm sa do të shkojë duke u rritur.

Në bazë të raporteve të instituteve të pavarura, Idriz Vehabi, kryetar aktual i Rahovecit, rezulton se i ka përmbushur 100 për qind premtimet për bujqësinë e Rahovecit.