Veseli në Klinë: Fillimi i Ri do ta transformojë Kosovën ekonomikisht (Foto)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar të dielën në Klinë strukturat e partisë dhe qindra simpatizantë për mobilizimin në zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa ka shpalosur para tyre konceptin e platformës qeverisëse “Fillimi i Ri”.

Lajme

28/05/2017 16:43

Kreu i PDK-së tha se Fillimi i Ri do të fokusohet tërësisht në zhvillimin ekonomik të vendit në mënyrë që të arrijmë rritje ekonomike prej 8 %.

“Koncepti i fillimit të ri është një transformim i fuqishëm, rrënjësor i ekonomisë sonë. Ndihmesa pikërisht e këtyre bizneseve të cilat janë aktualisht, 60 mijë biznese. Vetëm të ju ndihmojmë më shumë atyre me politika ekonomike lehtësuese, 60 mijë vende të reja të punës mund t’i krijojmë vetëm nga këto biznese”, tha ai.

Veseli po ashtu foli edhe për investime në sektorë të ndryshëm që do të bëhen gjatë qeverisjes së koalicionit PDK-AAK-NISMA. Ai tha se bujqësia do të jetë një nga prioritetet kryesore, dhe me këtë rast premtoi se buxheti do të dyfishohet, duke ndarë 120 milionë euro për grante dhe subvencione, çdo vit.

Gjithashtu, Veseli tha se do të ketë rritje të pensioneve dhe pagave.

“Do t’i rrisim pensionet e pensionistëve, 25 %. Kjo nuk do të jetë e tëra, kjo do të ndodhë shumë shpejt. Përveç rritjes se pagave në sektorin publik 30 %, pensionet do të rriten 25 % në fazën e parë, menjëherë. Pa i respektuar të moshuarit s’mund e ndërton të ardhmen”, deklaroi Veseli.

Në fjalën e tij, Veseli tha se shëndetësia po ashtu do të jetë prioritet. Mjekët, tha ai, do të gjejnë punësim brenda Kosovës në mënyrë që mos të shpenzohen miliona euro për shërim jashtë  vendit.

Një fokus i veçantë, tha Veseli do t’i kushtohet rinisë dhe grave, pasi siç tha ai, pa angazhimin e tyre nuk mund të ketë zhvillim të vendit në të gjitha drejtimet.

18765239_10213885612632411_1133893136_o 18789686_10213885611752389_1253731489_o 18767076_10213885611672387_1173835729_o 18817483_10213885611712388_1781809997_o