Veseli: Me mbështetjen e Gjermanisë, Kosova ndihet më e sigurt në rrugëtimin e saj euroatlantik

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se, duke e pasur mbështetjen e Gjermanisë, Kosova ndihet më e sigurt në rrugëtimin e saj euroatlantik, kjo për shkak se Gjermania është një shtet mjaft i fuqishëm.

Lajme

04/10/2018 15:57

Veseli po ashtu ka thënë se 28 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë, ky shtet sot rrezaton shpresë për të gjithë popujt e shtetet që aspirojnë demokracinë, sundimin e ligjit, prosperitetin e tregut të lirë dhe drejtësinë sociale, shkruan lajmi.net

Këto komente Veseli i bëri në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Gjermane, në përkujtim të 3 tetorit të vitit 1990, datë kjo që shënon ribashkimin e Gjermanisë. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i Veselit pa ndërhyrje:

Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Gjermane, në përkujtim të 3 tetorit të vitit 1990, datë kjo që shënon ribashkimin e Gjermanisë, me miq të shumtë gjermanë evokuam ngjarjet 28 vjetëve më parë – të cilat shënuan triumfin përfundimtar të demokracisë perëndimore mbi tiraninë komuniste.

Këtë triumf më së miri e simbolizon rënia e Murit të Berlinit.

Në atë kohë, Lëvizja jonë kombëtare për çlirimin e Kosovës u frymëzua shumë prej atyre ngjarjeve.

Sot, Gjermania, me shembullin e saj, rrezaton shpresë për të gjithë popujt e shtetet që aspirojnë demokracinë, sundimin e ligjit, prosperitetin e tregut të lirë dhe drejtësinë sociale.

Vendi ynë, Kosova, duke pasur mbështetjen e fuqishme të shtetit gjerman, ndihet më e sigurt në rrugëtimin e saj euroatlantik.

Herzlichen Glückëunsch zum Tag der Deutschen Einheit.