Veseli: Kushtetuesja ka qenë shtyllë e fuqishme e garantimit të parimeve themelore të demokracisë

Në shtatë vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se përmes vendimeve të drejtësisë së saj Gjykata Kushtetuese ka qenë një shtyllë e fuqishme e garantimit të parimeve themelore të demokracisë.

Lajme

26/10/2016 17:34

“Në një klimë shpeshherë te polarizuar Gjykata ka arritur të ruaj objektivitetin dhe paanësinë e vendimeve të saj dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në kredibilitetin  e sistemit juridik dhe subjekteve politike brenda institucioneve të shtetit. Gjykata Kushtetuese sot gëzon respektin e të gjithë qytetarëve,  subjekteve politike dhe jo politike, pa dallim”, ka thënë Veseli.

Fjalimi i plotë i Veselit para të pranishmeve në shënimin e shtatë vjetorit të Gjykatës Kushtetuese:

Jemi këtu së bashku për të shënuar 7 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, njërit prej institucioneve bazike të drejtesisë në Republikën e Kosovës.

Themelimi i këtij institucioni ka qenë një hap historik në procesin e shtetndërtimit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

Republika e Kosovës, shtet modern evropian, qëndron i bazuar mbi një kushtetutë, e cila përmban standardet më të larta të lirive dhe të drejtave të njeriut, të drejtave të qytetarëve dhe ato të komuniteteve.

Në 7 vitet e saj të funksionimit Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në formësimin e shtetit tonë, si një shtet :

–  ku respektohet sovraniteti i ligjit, që do të thotë se askush nuk është mbi ligjin,

– sovraniteti i popullit, që do të thotë se parimi demokratik është parimi i vetëm i pushtetit politik

– dhe sovraniteti i qytetarit, që do të thotë se liritë dhe të drejtat e njeriut janë të pacenueshme.

Përmes vendimeve  te drejtësisë së saj Gjykata Kushtetuese ka qenë një shtyllë e fuqishme e garantimit të këtyre parimeve themelore.

Në një klimë shpeshherë te polarizuar Gjykata ka arritur të ruaj objektivitetin dhe paanësinë e vendimeve të saj dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në kredibilitetin  e sistemit juridik dhe subjeketeve politike brenda institucioneve të shtetit.

Gjykata Kushteteuese sot gëzon respektin e të gjithë qytetarëve,  subjekteve politike dhe jo politike, pa dallim.

Ato ju drejtohen juve duke besuar ne integritetin dhe kredibiliteitn professional të gjyqtarëve ne marrjen e vendimeve në harmoni me ligjin dhe të drejtën.

Edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka qenë disa herë pjesë e trajtimit juridik te Gjykates Kushteteuse dhe asnjëherë nuk janë kontestuar Gjykimet tuaja.

Gjej rastin këtu t’i falenderoj të gjithë ata që punuan në ngritjen e këtij institucioni, ata që me dijen dhe përkushtimin e tyre professional arritën që Kosovën ta bëjnë shembull pozitiv në rajon të drejtësisë kushtetuese.

Më punën tuaj Kushtetuta e Republikës së Kosovës është bërë me fuqishme përballë sfidave me të cilat ballafaqohemi si shtet i ri.

Sukseset tuaja janë suksese të Kosovës, në rrugën e saj të integrimeve evro-atlantike.