Veseli fton në takim partitë parlamentare, kërkon konsensus për dialogun me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar udhëheqësit e partive politike në një takim të përbashkët ku do të diskutohet për arritjen e një konsensusi nacional për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme

22/07/2018 14:06

Në ftesën e siguruar nga lajmi.net, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka propozuar që takimi i parë të mbahet nesër me fillim prej orës 10:00.

“Me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që në këtë proces të rëndësishëm të kemi pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, kam kënaqësinë t’iu ftojë në një takim të përbashkët mes udhëheqësve të partive politike parlamentare”, theksohet në ftesën e Veselit.

Në këtë ftesë po ashtu theksohet se spektri politik, pozitë dhe opozitë, duhet të jetë i konsoliduar, unik dhe i përgatitur për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Po ashtu, në këtë ftesë qartësohet se Kuvendi i Kosovës do të ketë rolin kryesor të mbikëqyrjes dhe vendimarrjes në këtë proces të rëndësishëm.

Në këtë takim është bërë e ditur që do të diskutohet edhe për dokumentin kornizë të prezentuar nga Veseli për dialogun me Serbinë, dokument të cilin e po ashtu e kishte siguruar ditë më parë lajmi.net.

Ndryshe, tash e një kohë partitë politike kanë filluar me ciklin e tryezave të përbashkëta ku është tentuar arritja e një koncensusi nacional për dialogun me Serbinë.

Deri më tani, nuk ka pasur diçka konkrete nga këto tryeza.

Kujtojmë se kohë më parë, me qëllim të ndërtimit të koncensusit  nacional për dialogun me Serbinë, Qeveria e Kosovës kishte tëhequr nga Kuvendi platformën e saj për këto bisedime./Lajmi.net/