Veseli: Ende s’kemi vendosur se kë do të përkrahim në Prishtinë

Për Kadri Veselin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, rezultati i 22 tetorit ishte shumë pozitiv për partinë që ai drejton

Lajme

23/10/2017 23:03

“E kemi pritur këtë sukses dhe është një sukses i mirë. Aktualisht jemi fuqishëm në shumicën e komunave, duke garuar për vend të parë. Në të njëjtën kohë mund ta konsideroj se jemi fitues nga këto zgjedhje, duke pasur parasysh që kemi kaluar një proces zgjedhor kombëtar, që s’ka qenë më i miri më 11 qershor. Tani kemi një rikthim shumë pozitiv”, thotë Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, për TopChannel.

Veseli shprehet i bindur në fitimin e 10 komunave në të cilat është në balotazh, ndërsa pranon edhe dështimin në Prishtinë. Por, kreu i PDK-së shprehet i rezervuar se cilin kandidat do të mbështesë në balotazhin e Prishtinës, mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit.

“PDK-ja do të ndihmojë vetveten në Prishtinë. Me këtë rezultat na kanë ikur rreth 30 mijë vota. Jemi me një rezultat jo siç e kemi dëshiruar në Prishtinë. Kjo është garë elektorale, kemi respekt për të gjithë, por do të shikohen çështjet e interesit partiak që ne kemi tani si parti”, shton më tej Veseli.

“Nuk përjashtojmë askënd. Unë nuk jam përjashtues në politikë. Mundohem të kem partneritet me të gjithë”, thotë Veseli në lidhje me mbështetjen e mundshme të ndonjërit prej kandidatëve në Prishtinë.

Për sa i përket ndikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 22 tetorit në koalicionin qeverisës, Veseli shprehet i bindur.

“Do ta forcojë më shumë. Aktualisht partnerët e koalicionit i kemi diku rreth 50% të elektoratit shqiptar. Kemi fituar dikur rreth 320 mijë vota së bashku PDK, AAK edhe NISMA”, deklaron Veseli