Veseli e Ahmeti thonë se marrëveshja me Serbinë duhet të përfundojë vetëm me njohje

Para pak çastesh ka përfunduar takimi koordinues për dialogun me Serbinë i thirrur nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Lajme

14/01/2019 12:22

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas takimit koordinues për dialogun me Serbinë, ka thënë se ajo çfarë u diskutua në këtë takim dhe u mor vendim është pavarësia territoriale e Kosovës.

“Ka vetëm një vendimmarrje ajo është Kosova e pavarur dhe sovrane dhe e paprekur territorialisht….dhe futja në organizatat ndërkombëtare dhe në Kombet e Bashkuara”, ka deklaruar Veseli, raporton lajmi.net.

Po ashtu, edhe bashkëkryesuesi i ekipit negociator me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka thënë pothuajse të njëjtën gjë.

Ahmeti ka thënë se në takimin e 8 janarit në Bruksel është bërë e qartë se nuk do të ketë dialog nëse nuk diskutohet për njohjen e ndërsjellë.

“Është e qartë se në këtë dialog do të diskutohet për një njohje të ndërsjellë. Do të diskutohet edhe për të zhdukurit, dhe dëmet gjatë luftës…Sot një i deleguar fillon vizitën në zyrën e Federica Mogheirinit, është e qartë se duam të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Ne duam të arrijë marrëveshje finale me Serbinë, duke e konsoliduar pavarësinë e Kosovës dhe të anëtarësohemi në Organizatën  e Kombeve të Bashkuara. Ne duam t’i japim fund konfliktit dialogues, kështu duke bërë hapa përpara”, ka thënë Ahmeti pas takimit, raporton më tutje lajmi.net.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, edhe një  herë ka ftuar opozitën e në veçanti LDK-në që të bëhet pjesë e këtij dialogu.

“Do të ketë marrëveshje në interes të Kosovës. Ju e dini se çdo ditë jemi duke marrë letra dhe nga SHBA e Bashkimi Evropian po marrim letra për procesin e dialogut dhe si duket LDK-ja po e din që nuk ka zgjedhje dhe çdo herë kur po flitet për dialogun ajo po i përmend zgjedhjet. Është mirë që të merret përgjegjësi kur është në pyetje interesi i përgjithshëm dhe jo për interesa partiake dhe të mos ikin prej përgjegjësisë….. Edhe e kam një mesazh për LDK-në, të mos i fërkojnë duart se mbaruan që 20 vjet”, është shprehur Veseli.

Që të dy edhe Veseli edhe Ahmeti, kanë thënë integriteti territorial i Kosovës nuk do të preket në asnjë mënyrë.  /Lajmi.net/