Veseli: Disa parti flasin për barazi gjinore e s’e kanë asnjë kandidate grua

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se me tri kandidate për kryetare të komunave dhe shumë kandidate të tjera për Kuvende Komunale, PDK-ja po shndërrohet në platformën kryesore të lidershipit të grave në Kosovë.

Lajme

17/10/2017 16:45

Veseli i bëri komentet gjatë një takim me gratë në Mitrovicë, së bashku me kandidaten për kryetare të kësaj komune, Valdete Idrizi.

“Me Valdeten, Sabihanë, Gonxhen dhe me shumë zonja e zonjusha të tjera të Partisë Demokratike të Kosovës, ne po shndërrohemi në platformën kryesore të lidershipit të grave në Kosovë”, ka thënë Veseli.

“Jemi e vetmja parti me tri kandidate për kryetare të komunave. Keni parasysh, ka parti shumë të madhe, që nuk kanë asnjë kandidat për kryetare komune edhe flasin për barazi gjinore”, u shpreh Veseli, duke aluduar qartë në Lëvizjen Vetëvendosjes, e cila nuk asnjë kandidate grua.

Në vazhdim Veseli ka folur për kandidaten e tyre, Valdete Idrizi, për të cilën ka thënë se do të jetë përkrahëse e grave, do të jetë përkrahë fëmijëve në çerdhe e shkolla, do të jetë afër studentëve e profesorëve, do të jetë afër minatorëve… “Këtë do ta bëjë me një qeverisje të pastër e transparente”.

Ai ka premtuar se do të investohet në Mitrovicë. “Nuk do të ketë projekt për Mitrovicën dhe mitrovicasit që nuk do të jepet nga qeveria qendrore”.

“Fatmirësisht, si parti e kemi pjesën kryesore të qeverisë me 7 dikastere; pjesën më vitale të qeverisë, po ashtu, ministrin e Financave e kemi nga Mitrovica”, u shpreh kryetari i Kuvendit, i cili dhe vetë vjen nga Mitrovica.

Idrizi: Gratë janë gjysma e popullatës, do t’i fuqizojmë ekonomikisht

E kandidatja për ta drejtuar Komunën e Mitrovicës në katër vitet e ardhshme, Idrizi, tha se PDK-ja do t’iu japë hapësirë grave. n

“Na kanë pyetur sa drejtori do të udhëhiqen prej grave. Në Mitrovicë, por edhe në të gjitha komunat e tjera që do të udhëhiqen nga PDK-ja, gratë do ta kenë vendin qysh e meritojnë. Ne jemi gjysma e popullatës”, u shpreh ajo.

“E keni parë programin tonë. Ne, gruan do ta fuqizojmë ekonomikisht. Të gjitha ato gra ndërmarrëse, janë gra vendimmarrëse të suksesshme; do të fuqizohen edhe gratë dhe vajzat e reja”.

Ajo u zotua se në qeverisjen e saj do t’i jepet shtytje zhvillimit ekonomik dhe investimeve. “Jo vetëm qp do ta zbusim papunësinë, por definitivisht Mitrovicën do ta fusim në binarët e zhvillimit pikërisht ashtu qysh e meriton, që Mitrovica do ta ketë mbiemrin zhvillim”, theksoi Idrizi. /EO