Veseli: BE t’i trajtojë barabartë Kosovën dhe Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur në konferencë për media për zhvillimet e fundit politike, për vendimet e Kuvendit për Ushtrinë, bisedimet me Serbinë dhe letrën e Presidentit Amerikan, Donald Trump.

Lajme

19/12/2018 11:28

Veseli tha se Kosova nuk do ta heqë taksën ndaj Serbisë derisa BE ta trajtoj barabartë, ndërsa bëri të ditur se reciprociteti do të jetë baza e vendimeve për ecjen përpara, përcjell lajmi.net.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë. Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit. Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe është e detyruar të jetojë me këtë fakt në shekujt që do të vijnë. Nëse s’e kupton, ne do ta bëjmë që ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë e më shumë”, tha Veseli ndër të tjera në konferencën me gazetarë.

Fjalimi i plotë i Kadri Veselit:

Javën që shkoi në Kuvendin e Kosovës morëm dy vendime të mëdha: miratuam ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri dhe krijuam Delegacionin Shtetëror për Dialog.

Të dy këto vendime pasqyrojnë përkushtimin tonë konkret për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në Rajonin tonë.

Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet tjera anëtare të NATO-s, që mbështetën vendimin tonë për Ushtrinë.

Nga 14 dhjetori, Ballkani është më i sigurt dhe më afër përmbushjes së aspiratës euro-atlantike.

Votimi i Delegacionit për Dialogun – afirmon qartë përkushtimin e Kosovës për mirëkuptim dhe marrëveshje.

Kemi pritur vlerësim pozitiv nga BE për këtë, së paku për korrektësi.

Serbia, gjithë kohën, ka bërë obstruksione në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në Dialog.

Janë shkelur marrëveshjet për lëvizjen e qytetarëve, për energjinë, dokumentacionin kadastral, në dhjetëra raste qytetarët e Kosovës janë ndaluar e keqtrajtuar gjatë kalimit nëpër Serbi dhe mallrat e Kosovës asnjëherë nuk kanë mundur të lëvizin lirshëm në Serbi, ndërsa mallrat e Serbisë kanë hyrë në Kosovë pa respektuar ligjet e shtetit tonë.

Në planin ndërkombëtar, Serbia ka vazhduar po ashtu me agresivitet të shtuar të pengojë integrimin e Kosovës në institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Rasti më i fundit ishte Interpoli.

Kjo, për rrjedhojë, solli vendosjen e taksës 100 % për produktet serbe.

Kjo masë ishte reagim për të treguar se bllokimi sjell bllokim të dyanshëm.

Kemi pritur reflektim balancues të BE-së për këtë situatë. Që ul tensionet dhe mohon politikat bllokuese për dy palët njësoj.

Nuk kemi pritur që BE të reagojë vetëm ndaj nesh.

Kjo mungesë balance e BE-së, te qytetarët e Kosovës, më të drejtë, ka krijuar përshtypjen e njëanshmërisë së BE-së.

Thirrjet e Serbisë për heqjen e taksës dhe përsëritja e tyre nga BE-ja, pa i bërë thirrje edhe Serbisë që të heqë dorë nga qasja e saj bllokuese, po i shqetësojnë me të drejtë qytetarët e Kosovës.

Ata kërkojnë që sovraniteti e dinjiteti i shtetit tonë të mbrohet e respektohet dhe institucionet tona shtetërore pikërisht këtë po e bëjnë.

Bllokimi i lëvizjes përpara në agjendën e Bashkimit Evropian përbën shqetësim serioz. Ai mund të ketë pasoja ndëshkuese për Kosovën, por në asnjë mënyrë nuk e ndihmon stabilitetin në Rajon dhe as vetë BE-së.

Izolimi i qytetarëve të Kosovës pa lëvizje të lirë vetëm sa e rëndon më shumë këtë situatë.

Argumentet e tipit se me krijimin e shtetit të Kosovës, Serbia ka humbur shumë, dhe tani është koha që edhe Kosova të humbë diçka, nuk janë racionale dhe nuk i shërbejnë as paqes, as pajtimit dhe as arritjes së marrëveshjes mes dy vendeve.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë.

Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit.

Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe është e detyruar të jetojë me këtë fakt në shekujt që do të vijnë.

Nëse s’e kupton, ne do ta bëjmë që ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë e më shumë.

Ne presim nga BE që në Dialog të garantojë parimin e trajtimit të barabartë të palëve dhe përfitimet e dyanshme prej tij.

Ne presim nga BE që ta trajtojë seriozisht dhe në mënyrë të balancuar çështjen e bllokadave të dyanshme.

Kosova nuk do të veprojë njëanshëm në heqjen e taksës.

Taksa nuk është problemi i vetëm dhe as më i madhi.

Trajtimi i barabartë dhe reciprociteti janë rrugëzgjidhja.

Ju faleminderit! /Lajmi.net/