Veseli: Ardhja e Papës, lehtësim për vuajtjet e popullit tonë

Për vizitën e Papa Françeskut, që ende po vazhdon sot në Tiranë, ka komentuar edhe zëvendëskryetari i PDK-së Kadri Veseli, duke e quajtur ardhjen në tokën shqiptare dhe mbajtja e meshës në Tiranë, në Ditën ndërkombëtare të Paqes, “lehtësim për vuajtjet e popullit tonë dje, bekim për të tashmen dhe të ardhmen tonë të ndritshme”.

Lajme

21/09/2014 20:09

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se uron që me ardhjen e Françeskut në Shqipëri, harmonia dhe paqja ndër vëllazërore ndërmjet shqiptarëve të bëhet më e gjërë.

“Urojmë që porositë nga Mesha e shenjtë e Papa Françeskut nga toka e martirëve dhe shqiponjave të afrojnë popullin shqiptar rreth veprave të mira, dashurisë, paqes e harmonisë ndër vëllazërore me njëri tjetrin dhe më gjerë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Facebook.

Duke komentuar fjalimin Veseli shkruan se “do të punojmë që kjo harmoni vëllazërore ndërfetare të mbetet një nga veçoritë e dallueshme tonat në gjirin e popujve evropian dhe në botë”.