Versioni i ri i Android, thoni lamtumirë fjalëkalimeve

Më nuk do të keni nevojë që t’i mbani në mend fjalëkalimet e ndryshme. Versioni i ardhshëm i Android – që pritet të quhet Android M – thuhet se do të përmbajë një “qasje përmes shenjave të gishtit” edhe në aplikacione të tjera që mbështesin këtë sistem.

Auto & Tek

25/05/2015 18:18

Me këtë lloj qasje, përdoruesit do të jenë në gjendje që të hynë në të gjitha aplikacionet që mbështesin pajisjet e tyre Android pa pasur nevojë fare për të shkruar fjalëkalimin.

Google pritet që ta prezantojë këtë veçori në konferencën ‘Google I/O’ që do të mbahet më 28 deri 29 maj në San Francisko, transmeton Lajmi.net.

Përdoruesit e iOS me pajisjet që mbështesin veçorinë Touch ID tashmë e njohin këtë veçori dhe e dinë se si është të përdorësh shenjat e gishtit në vend të fjalëkalimit. Jo që është më shpejtë, por edhe më e sigurt, gjithashtu.

Kjo veçori do të jetë në dispozicion për pajisje të cilat kanë senzor të shenjave të gishtit. Nuk ka shumë pajisje Android që e kanë këtë senzor për momentin – Galaxy Note 4, S6/S6 Edge dhe HTC One Mac janë pak pajisje që të bien ndërmend – por kjo pritet të ndryshojë shpejtë, transmeton Lajmi.net.

Në mënyrë që të zëvendësoj fjalëkalimet e mërzitshme, shenjat e gishtit mund të përdoren edhe për pagesa. Apple Pay tashmë e ka dëshmuar këtë dhe Samsung Pay pritet që ta zëvendësoj këtë sukses.