Versioni i Gani Gecit

Gani Geci thotë për lajmi.net se ai nuk ka gjuajtur me armë në drejtim të Azem Sylës. Sipas tij, nuk ka pasur as shkëmbim zjarri e as të shtëna nga ana e tij apo bashkëpunëtorëve të tij.

Lajme

28/10/2013 17:02

Gani Geci mohon të ketë sulmuar sot deputetin Azem Syla në Skenderaj.

Ai thotë se nuk ka pasur sulm të armatosur e as shkëmbim zjarri.

Në një intervistë për lajmi.net, Geci jep versionin e tij për ngjarjen.

“Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me të shtënat”.

“Unë isha ulur para lokaleve të mia në Skenderaj vetë i 15’ti kur përfundoi fushata e PDK’së. Në ndërkohë andej erdhi eskorta me njerëzit e PDK’së, në këmbë. Njëri prej tyre na ka fyer dhe na ka sharë. Pastaj unë nxora një revole jo reale”.

I pyetur nga lajmi.net që ta shpjegojë “revolen jo reale”, Geci shtoi:

“E kam një revole të metaltë por jo reale, që e mbaj kohëve të fundit. Ma shumë si shkrepës. Nuk ka kurrfarë efekti”.

“Pas provokimit unë e kam nxjerr atë dhe ata kanë ikur. Tek atëherë e kam parë Azem Sylën duke ikur deri tek cerphajna, Tjegullorja.”

“Pastaj një truproje i Gani Gocit me emrin Adnan Koci ka shtënë në ajër”.

“Këta djemtë që ishin me mua i kanë marrë atij revolen dhe ia kanë kthyer pastaj”.

“Ata na kanë provokuar dhe na kanë sharë”.

Gani Geci thotë se tani ndodhet në shtëpinë e tij dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë për ngjarjen e sotme.

“Jam në shtëpi, nuk kam qenë në polici”.