Veriu synon të jetë Rajon i Veçantë

Analisti i \"Balkans Policy Research Group\", Naim Rashiti, thotë se zgjedhjet në Veri po mbahen në një atmosferë të tensionuar dhe aspak demokratike. Sipas tij, këto zgjedhje do të krijojnë një strukturë vetëqeverisëse të cunguar në Veri.

Lajme

31/10/2013 06:26

Marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel në mes të Kryeministrave Thaçi e Dacic ka bërë të mundur që sivjet, për herë të parë, të organizohen zgjedhjet lokale, me legjislacion të Kosovës, edhe në pjesën Veriore, të dominuar nga serbët.

Në këtë pjesë të vendit që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999 kanë qeverisur strukturat paralele serbe të mbështetura nga Beogradi, përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë arritur asnjëherë deri tash të shtrijnë ndikimin e tyre në këtë pjesë.

Veriu ka qenë arenë e përplasjeve të vazhdueshme ndër-etnike në këto 14 vjet dhe zgjedhjet e kësaj të diele konsiderohen si hapi i parë i integrimit.

Me gjithë optimizmin e shprehur nga Qeveritë e të dy vendeve, për një atmosferë të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, ku do të votohet për kryetarët e katër komunave, situata në terren duket se është krejtësisht tjetër nga ajo që paraqitet zyrtarisht.

Naim Rashiti, Analist i “Balkans Policy Research Group”, thotë për lajmi.net se zgjedhjet në këtë pjesë po mbahen në një atmosferë të tensionuar dhe aspak demokratike.

“Kemi pritur që Qeveria në Prishtinë, e në veçanti Qeveria e Serbisë të bëjnë më shumë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Veri, e do të japin më shumë shpjegime për situatën e re të krijuar pas marrëveshjes së Brukselit dhe të tregojnë se çka do të ndodhë me procesin zgjedhor”.

“Shumë pak veprime transparente janë ndërmarrë. Zgjedhjet po mbahen në një klimë të tensionuar dhe shumë jo demokratike, veçanërisht ne Veri”.

“Shumica e popullatës është kundër zgjedhjeve, ndërsa ata të cilët kanë aplikuar për pjesëmarrje janë shumë të pavendosur dhe jo bindës në agjendën e tyre”.

“Qeveria e Beogradit duke përkrahur Listën ka monopolizuar në tërësi opinionin dhe hapësirën politike për zgjedhje konkurruese. Ne fakt, shumë pak apo fare pak parti në Veri, duke përfshirë edhe Listën, mund të bëjnë fushatë të hapur”.

Analisti Rashiti thotë se këto zgjedhje do të krijojnë një strukturë vetëqeverisje të cunguar, e cila duhet gradualisht ta fitojë dhe zhvillojë legjitimitetin demokratik.

“Për të ndërtuar legjitimitet të konsiderueshëm politik dhe demokratik duhet të konsiderohet edhe përsëritja e zgjedhjeve. Për të ndodhur kjo, duhet bërë shumë punë paraprake. E para, që klima politike në Veri të përmirësohet, që Qeveria e Serbisë të mos përkrahë vetëm një rrymë, ndërsa paritë tjera që të cilat bojkotojnë zgjedhjet duhet t’i ofrohen këtij procesi dhe të ndërtojnë një konsensus politik për një garë të drejtë, fer e demokratike”.

Me gjithë investimet që po bëhen për t’ia kthyer normalitetin pjesës veriore, Naim Rashiti, megjithatë, thotë se kjo pjesë do të ketë një marrëdhënie krejtësisht të ndryshme me Prishtinën, për dallim nga Graçanica,

“Specifikat politike të Veriut do të krijojnë një situate te re. Fillimisht, bashkëpunimi do të jetë shumë acarues, sepse agjenda e Listës Serbe dallon shume nga ajo e Prishtinës në lidhje me atë se si do të duket bashkëpunimi institucional ne mes Qeverise qendrore dhe Veriut apo komunave veriore”.

“Lista planifikon të krijojë një realitet të ri politik, të ngjashëm me atë të pushtetit të nivelit të tretë. Ndërsa Prishtina do të insistojë të  bashkëpunojë me nivelin komunal”.

“Asociacioni i Komunave nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit lokal, por megjithatë Veriu do të insistojë të komunikojë me Prishtinën si rajon i veçantë”.

“Në shumë çështje, legjislacioni kërkon qe bashkëpunimi i komunës me institucionet qendrore të  jetë në nivel komunal, por në disa fusha Veriu do të përfaqësohet si rajon apo përmes Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.