Veriu si Perëndim i Egër

Oliver Ivanovic thotë se incidentet në Veri kanë për qëllim frikësimin e serbëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje. Ai beson se nëse vazhdon kjo gjendje, qytetarët do të detyrohen të vetëmbrohen. Edhe me armë.

Lajme

14/10/2013 15:46

Oliver Ivanovic, kandidati për Kryetar të Komunës së Veriut të Mitrovicës, thotë se shpërthimi i bombës në orët e hershme të mëngjesit, në banesën e Nebojsa Maric, punëtor i Drejtorisë së Financave në komunën ilegale në Veri të Mitrovicës – ka për qëllim frikësimin e serbëve të kësaj pjese që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Sipas tij, nëse vazhdon kjo gjendje, qytetarët e këtij rajoni do të detyrohen të gjejnë mënyra për t’u mbrojtur.

“Njerëzit do të fillojnë që të vetëmbrohen me anë të armëve. Kjo është e rrezikshme”.

“Nëse nuk do të ketë bashkëpunim mes tri policive, një skenar i tillë do të jetë shumë i mundshëm”.

“Veprimi sjell reagimin dhe kundër-reagimin. Kjo mund ta shndërrojë Veriun në një Perëndim të Egër. Një gjë e tillë godet më së shumti të pambrojturit – fëmijët, gratë dhe intelektualët, të cilët do të fillojnë të ikin. Shtrohet pyetja – kush do të qëndrojë këtu?”.

Ivanovic, kohë më parë deklaroi për lajmi.net se grupe serbësh kanë kërcënuar vazhdimisht qytetarët që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

Kërcënimet e tilla do ta ulin numrin e votuesve serbë, ka thënë sot Ivanovic për mediat serbe.

“Përderisa sulme të tilla vazhdojnë të përsëriten, kjo do të ndikojë që të ulet numri i votuesve në 15 për qind. Një gjë e tillë do t’i konvenojë më shumti atyre që janë kundër këtyre zgjedhjeve dhe të cilët thonë se 85 për qind e serbëve në Kosovë janë kundër këtij procesi. Kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse 85 për qind janë pro zgjedhjeve, por frikësohen të jenë pjesëmarrës”.

“Nëse probleme të tilla nuk zgjidhen menjëherë, është normale që ato të përsëriten”.