Veriu, në vakuum institucional

Kanë kaluar 15 ditë prej kur kryetarët e katër komunave veriore të vendit kanë dhënë dorëheqje.

Lajme

11/12/2018 08:11

Sot bëhen pesëmbëdhjetë ditë prejse kryetarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje, ndërkohë Zyra Ligjore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal ende nuk ka dalë me vendim nëse duhet të pranohen këto dorëheqje ose jo, pasi në dorëheqje kryetarët serbë të këtyre komunave i janë referuar Republikës së Kosovës si “Kosova e Metohija”.

Por, mosdhënia e verdiktit nga Zyra Ligjore në MAPL po e zgjat kohën e vakuumit institucional në atë pjesë të Kosovës, pasi nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore. Referenca “Kosova e Metohija” në dorëheqjet e kryetarëve veriorë pavarësisht që mohon Kosovën Republikë, vlerësohet që nuk duhet të jetë arsye për mospranimin e dorëheqjeve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Se si do të veprohet më tutje me komunat në veri gazeta “Zëri” ka dërguar pyetje në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, por zyrtarët e kësaj ministrie kanë thënë se ende nuk ka vendim.