Veriu ia nis fushatën me kërcënim për bojkot të zgjedhjeve parlamentare

Derisa partitë shqiptare në jug të Ibrit nisën zyrtarisht fushatën parazgjedhore, komunat veriore të banuara me shumicë serbë vendosën ta bëjnë të kundërtën, duke ndërprerë të gjitha aktivitetet elektorale. Shkas për këtë janë bërë fletëvotimet me simbole të Republikës së Kosovës dhe emërimi I këshillave të qendrave të votimeve nga KQZ.

Lajme

29/05/2014 09:26

Mes bojkotit dhe thirrjeve për të votuar po përballet komuniteti serb edhe para zgjedhjeve nacionale, të cilat do të mbahen më 8 qershor. Derisa partitë shqiptare në jug të Ibrit nisën zyrtarisht fushatën parazgjedhore, veriorët vendosën ta bëjnë të kundërtën duke ndërprerë të gjitha aktivitetet elektorale, shkruan gazeta “Koha Ditore”.

Ata po pretendojnë se vendimet e Komisionit Qendror Zgjedhor u janë shkelur të drejtat e tyre. Nëse nuk ndryshohet vendimi ata kanë thënë se do të shqyrtojnë edhe pjesëmarrjen në zgjedhje. Por përfaqësues të KQZ-së u janë përgjigjur kryetarëve serbë duke theksuar se qëndrojnë prapa vendimeve, dhe se nuk do të punojnë nën kërcënimin e asnjë strukture politike.

Kryetarët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe kanë marrë vendim të mërkurën që të ngrijnë të gjitha aktivitetet elektorale për shkak të, siç kanë thënë ata, vendimeve të KQZ-së, të cilat “shkelin ligjin dhe të drejtat e pakicave”, shkruan “KD”.