Veriorët nuk duan që shëndetësia dhe arsimi të futen në buxhetin e Kosovës

Përfaqësuesit lokalë të katër komunave veriore të populluara me shumicë serbe janë duke përgatitur terrenin që krijimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe t’ua përshtatin kërkesave të tyre.

Lajme

17/03/2015 08:08

Peng i kësaj bashkësie komunash ka mbetur edhe miratimi i buxheteve komunale në Leposaviq, Zubin- Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, shkruan e përditshmja Koha Ditore.

Përfaqësuesit lokalë kanë kërkuar që arsimi dhe shëndetësia të mos futen në buxhetin e Kosovës, pasi insistojnë që këta sektorë të mbesin nën sistemin e Serbisë.

Këtë çështje synojnë ta rregullojnë përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Agim Hasani, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal në Leposaviq, i ka thënë gazetës se mosmiratimi i buxhetit ka ardhur për shkak se veriorët kanë refuzuar ta fusin arsimin dhe shëndetësinë në kuadër të buxhetit të Kosovës.

“Kjo ka dalë pengesë pse nuk është miratuar buxheti dhe deri më tani nuk ka ndonjë zhvillim rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se dy mbledhjet e ftuara në Kuvend Komunal janë anuluar për shkak të zhvillimeve në Prishtinë, që rrodhën pas shkarkimit të ministrit Aleksandar Jablanoviq.