Verifikimi i veteranëve të UÇK-së, në gjysmë të rrugës

Mbi 67 mijë aplikacione të i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të verifikohen nga Komisioni qeveritar për njohjen e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së. Megjithëse ishte thënë se verifikimi do të kryhej deri në qershor të këtij viti, puna ka arritur vetëm deri në gjysmë. 

Lajme

07/08/2014 17:23

Komisioni momentalisht është duke verifikuar numrin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK, Smajl Elezaj ka thënë për KosovaPress, se deri më tani janë verifikuar gjysma e brigadave, e në të cilat përfshihen edhe njësitet dhe shtabet lokale.

Ai tha se numrin e të verifikuarve nuk mund ta bëjnë publike në këtë kohë. Elezaj ka theksuar se pas publikimit të listave me emrat e veteranëve të cilët fitojnë statusin e veteranit, ata që kanë pakënaqësi do të mund të dërgojnë vërejtje.

“Deri më tani është kryer gjysma e brigadave, aty nuk përfshihen vetëm brigadat, por janë edhe njësitet dhe shtabet lokale. Komisioni i verifikimit të veteranëve është duke e kryer punën mirë, mirëpo verifikimi është kompleks edhe për shkak të numrit shumë të  madh të aplikacioneve, por mos me i hy në hak askujt, janë duke e kryer me përpikëri… Është një numër i të verifikuarve, por nuk po e bëjmë publik tashti. Listat do të jenë publike një muaj, kur populli ka mundësi t’i shef të gjithë ata njerëz, të gjithë ata ushtarë që kanë fituar statusin e veteranit dhe normalisht mund të japin vërejtje. Edhe mendoj që rruga më e mirë do të ishte që përmes Organizatës së Veteranëve të sjellin ankesat për ndonjërin që kanë vërejtje”, ka thënë ai.

Elezaj ka shtuar se në Zonën Operative të Drenicës ende nuk ka filluar verifikimi. Ai tha se arsye e kësaj vonese është se komisioni është marrë më shumë me komunat e tjera në vend.“Pasi të kryhet verifikimi do të hyn edhe ligji në fuqi, dhe sipas ligjit do t’i gëzojnë të mirat e këtij ligji…Nuk është ndarë veç, por komisioni nuk mundet me arrit menjëherë në të gjitha komunat… Po, momentalisht është duke u kryer verifikimi në brigadën 153 ‘Hyzri Talla’, në Podujevë”, ka thënë Elezaj.

Nga ky ligj më së shumti do të përfitojnë veteranët të cilët janë të pa punë, kurse veteranët e punësuar do të kenë benificione si sigurime shëndetësore, lehtësim në dogana, administratë. E veteranët, të cilët kanë ndërruar jetë pas lufte, 70 për qind të ndihmës do të mund ta marrin familjet e tyre të ngushta.

Sipas Elezajt, nuk ka një datë të saktë për publikimin e këtyre listave. Ai tha se pas përfundimit të verifikimit, të gjithë veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së do të jenë përfitues të benificioneve që i parasheh edhe ligji i miratuar në Kuvendin e Kosovës./KosovaPress/