Verdikti më 3 nëntor në Prizren

Albin Kurti kërkon nga qytetarët e Prizrenit që ta dënojnë udhëheqjen e tashme të kësaj Komune. Ai ftoi të votohet për Kandidatin e VV’së Arbër Rexhaj dhe kundër “dy doktorëve të krimit dhe korrupsionit”.

Lajme

19/10/2013 21:52

Albin Kurti, në një tubim elektoral që ka mbajtur Vetëvendosje sot në Prizren, ka kërkuar nga qytetarët që t’i dënojnë me votë udhëheqësit e kësaj Komune, shumica prej të cilëve ai tha se janë nën hetime ose me aktakuzë të ngritur.

“Le të mos e presim fundin e procesit gjyqësor, por le t’ua shqiptojmë verdiktin e qytetarëve të Prizrenit më 3 nëntor. Le t’i zhveshim nga pushteti mbi Komunën, para se këta njerëz të korruptuar t’i veshin teshat e të burgosurve”, ka thënë ai.

Lideri i Vetëvendosjes ka deklaruar se pasuritë kulturore e historike të Prizrenit janë dëmtuar dhe po rrezikohen të zhduken.

“Kemi zjarre të qëllimshme nëpër shtëpi të vjetra, për ndërtime të egra që kanë ngulfatur qytetin. Sepse kemi ndërtime të larta të shëmtuara si ai pranë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sepse deri të Lumëbardhi, i cili për shkak të ujërave të zeza, mbeturinave të shumta, e ujit të paktë që i vidhet sipër, nuk ka mbetur as lumë e as i bardhë”.

Kurti ka komentuar edhe vizitën e sotme në Kosovë të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic.

“Para disa muajve, Kryeministri i Serbisë Dacic, ky fëmijë politik e nxënës i devotshëm i Milosevicit, erdhi në Prizren dhe piu ujë në shatërvan. Sot në mëngjes, i njëjti ka hyrë sërish në Kosovë, gjithçka në marrëveshje me Kryeministrin e Kosovës, i cili nuk po merr vesh dhe po i jep ujë Serbisë në Kosovë. Pa e hequr Thaçin nga pushteti, nuk hiqet Dacici nga Kosova”.

“Me Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të ketë më pavarësi pa sovranitet, as ekonomi pa prodhim, dhe as institucione pa ligj, sepse është Vetëvendosje ajo që me Alternativën e saj do t’ia kthejë tokën bujkut, fabrikën punëtorit, pushkën ushtarit, librin nxënësit e kulturën qytetit.”

Albin Kurti ftoi qytetarët e Prizrenit që të votojnë masivisht më 3 nëntor.

“Për Vetëvendosjen, për Arbër Rexhajn, për numrin 61, për Prizrenin, e kundër këtyre dy doktorëve të krimit dhe korrupsionit”.

Kandidati për Kryetar të Komunës, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se Prizreni ka reputacionin më të keq në Kosovë, për shkak të “pushtetit të tashëm”.

“Ne nuk duhet ta durojmë këtë gjendje. Ne duhet ta ndryshojmë atë, duke sjellë barazi për të gjithë qytetarët, zhvillim ekonomik e përkujdesje institucionale për grupe që kanë nevojë për mbështetje, mbështetje kjo që nuk po e gjejnë dot tek udhëheqja e korruptuar e Komunës”.