Veprimet e Rusisë s’kanë të bëjnë vetëm me një shtet

Presidenti amerikan, Barack Obama, gjatë vizitës së tij në selinë e Bashkimit Evropian, në Bruksel, tha të mërkurën se veprimet e Rusisë në Ukrainë nuk e kanë të bëjnë vetëm me një shtet.

Bota

26/03/2014 15:15

Në një konferencë për media bashkë me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, presidenti amerikan vuri në dukje lidhjet e forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, duke thënë se ato lidhje janë edhe më të forta pas veprimeve të Rusisë në gadishullin e Krimesë.

Obama po ashtu tha se nëse dikush nga udhëheqësit rusë ka menduar se Bota nuk do të kujdeset për veprimet e tyre në Ukrainë, atëherë e ka bërë këtë llogari gabimisht.

“Nëse Rusia vazhdon rrugën e saj aktuale, sanksionet do të rriten dhe do të ketë pasoja të mëtejme për ekonominë ruse”, tha Obama, raporton The Guardian.

“Rusia tashmë qëndron vetëm”, ka thënë presidenti amerikan, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në disa prej shteteve të Evropës Perëndimore.