Venezuela kritikon ashpër Trumpin për komentet për “opsion ushtarak” – Lajmi.net
Venezuela kritikon ashpër Trumpin për komentet për “opsion ushtarak”
Autori: Lajmi.net BotaLajme 15:02, 13 August 2017
Qeveria e Venezuelës të shtunën mbrëma ka paraqitur një kritikë të ashpër ndaj komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me një “opsion ushtarak” potencial, për zgjidhjen e krizës politike në këtë vend të Amerikës Latine.

Në deklaratën e lexuar nga ministri i Jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza, gjatë një takimi me diplomatët e jashtëm në kryeqytetin Karakas, u theksua se komentet e Trumpit ishin akti më skandaloz luftënxitës kundër Venezuelës, për një shekull dhe kjo paraqet kërcënim për stabilitetin e Amerikës Latine.

Arreaza e cilësoi presidentin Trump si “shef të perandorisë” dhe tha se komentet e tij para dy ditësh paraqesin model të agresionit kundër sovranitetit të Venezuelës.

Arreaza tha, po ashtu, se deklaratat e Trumpit paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Në mesin e diplomatëve që ishin të pranishëm gjatë leximit të deklaratës nga ana e ministrit Arreaza, ishte edhe përfaqësuesi më i lartë diplomatik amerikan në Venezuelë, Lee McClenny, i cili është shef i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Venezuelë.

Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela nuk i kanë këmbyer ambasadorët prej vitit 2010.

Zoti Trump tha se ai mund “të vazhdojë” me një “opsion ushtarak” për t’u ballafaquar me qeverinë gjithnjë e më autoritare të Venezuelës.

“Venezuela është në rrëmujë, është një rrëmujë shumë e rrezikshme dhe situatë shumë e keqe. Ne kemi shumë opsione për Venezuelën. Unë nuk do ta përjashtoj opsionin ushtarak”, tha presidenti Trump në Bedminister të Nju Xherzit, i pyetur nga gazetarët për gjendjen në Venezuelë, e cila për disa muaj është përfshirë në trazira.

Pas kësaj deklarate, ministri i mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino, e ka akuzuar Trumpin për “akt të çmendurisë”.

Zgjedhjet e kontestuara në muajin korrik, e kanë sjellë një legjislaturë të fuqishme, që është në favor të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Më shumë se 120 vetë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë protestave të dhunshme.

Administrata amerikane, më herët, presidentin Maduro e ka quajtur “diktator” dhe ka imponuar sanksione kundër tij dhe aleatëve të tij, por asnjëherë nuk është përmendur opsioni ushtarak.

Ka reaguar edhe ministri i informatave i Venezuelës, Ernesto Villegas.

“Unë insistoj se ky është kërcënimi më serioz që ndonjëherë është bërë kundër sovranitetit dhe pavarësisë së Venezuelës”, tha Villegas gjatë një interviste në Televizionin shtetëror të këtij vendi.

Ministri Padrino, i cili është aleat i afërt i presidentit Maduro, tha se “me këtë elitë ekstremiste në qeveri në Shtetet e Bashkuara, kush e di se çka mund të ndodhë në botë”.

Maduro dhe liderët e tjerë të Venezuelës për një kohë të gjatë i kanë portretizuar Shtetet e Bashkuara si agresor, i gatshëm për të okupuar, megjithëqë Maduro, kohëve të fundit, tha se ai dëshiron t’i ripërtërijë raportet e mira me Uashingtonin.

Para dy ditësh,. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti, Nicolas Maduro, ka kërkuar të bisedoj me telefon me presidentin Trump, por Trumpi publikisht e ka refuzuar këtë ftesë.

“Presidenti Trump do të flasë me kënaqësi me liderin e Venezuelës, atëherë kur në këtë vend të ripërtrihet demokracia”, tha thënë Shtëpia e Bardhë.

Me gjithë komentet e presidentit Trump se ai do ta shqyrtoj opsionin ushtarak kundër Venezuelës, Pentagoni e ka publikuar një deklaratë ku theksohet se akuzat nga ana e liderëve politikë në Karakas se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë invadim, janë “të pabaza”.

Fjalët kyçe: Donald Trump, SHBA, Venezuela

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Urban Basketball
  • Play Bow Master Japan
  • Play iStunt 2
  • Play 8 Ball Pool