Vendnumërimi i shtetit

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën, edhe këtë radhë pritet të ketë anën pozitive, sfidat, por edhe ngecjet në përmbushjen e standardeve evropiane dhe lansimit të reformave ligjore e administrative. 

Lajme

06/10/2014 09:52

Me përjashtim të proceseve të suksesshme zgjedhore komunale e qendrore, në fushat tjera Kosova, kryesisht ka ngecur në stadin e vitit 2013.

Komisioni Evropian pritet që nga mesi i muajit të publikojë raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor ku kritika e përbashkët, sipas njoftimeve që tashmë vijnë nga përfaqësitë evropiane në Prishtinë, do të jenë për mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjyqësori i ndikuar dhe varur dhe politik, si dhe administratat ende të pareformuara të shtetit.

Sa i përket Kosovës, këto burime kanë bërë me dije se do të ketë disa lavdata në lidhje me zgjedhjet e 8 qershorit, shkruan Tribuna.

Procesi i zgjedhjeve të 8 qershorit, paralajmërohet se do të vlerësohet si demokratik, sipas standardeve evropiane. Por, marrë parasysh që raporti i progresit është dinamik dhe përfshinë etapën tjetër, atë të konstituimit të institucioneve, do të ketë edhe vlerësime shqetësuese për zvarritjet në formimin e institucioneve.

Përveç të arriturave të Kosovës, në raport do të përmenden edhe ngecjet, që për shkak të gjuhës politike, ato do të cilësohen me termin “sfidë” ose fusha ku duhet “bërë më shumë”.

Sipas gazetës, fushat ku Kosova ka mbetur në pikën zero, janë ajo e krimit të organizuar, korrupsionit, reformave ligjore, reformave në administratë. Ngecjet e tilla më pas besohet se do të reflektojnë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave, sado që integrimi evropian dhe liberalizimi i vizave po zhvillohen si dy procese të ndara, shkruan sot Tribuna.