Vendimi për ndalimin e posterëve u përshtatet partive të mëdha

Adnan Rrustemi, nga Vetëvendosje, thotë se vendimi i KQZ-së për ndalimin e vendosjes së posterëve gjatë fushatës zgjedhore u përshtatet disa subjekteve të mëdha politike, për të shmangur gjobat e mëdha për keqpërdorimet me to. Ai thotë për lajmi.net se nuk është përgjegjësi e KQZ-së të marrë një vendim të tillë.

Lajme

27/05/2014 20:42

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të martën që gjatë fushatës zgjedhore, subjektet politike dhe kandidatët nuk do të kenë të drejtë të promovojnë veten përmes posterëve.

Mirëpo, kundër këtij vendimi është deklaruar përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, i cili thotë se ky vendim i shkon për shtati disa partive të mëdha.

Sipas tij, përfaqësuesit e partive të mëdha politike kanë kërkuar që KQZ të marrë këtë vendim, me qëllim që të shmangin gjobat e mëdha nga PZAP.

“Ajo çka është më e rëndësishmja ka të bëjë me faktin që partitë e mëdha politike, të cilat janë gjobitur nga PZAP me qindra mijëra euro për mbulimin dhe keqpërdorimin e posterëve, janë ato që e kanë kërkuar ndalimin, me qëllim që të shmangim që subjektet e tyre politike të dënohen dhe nuk ka të bëjë aspak me arsyetimet që sot u dhanë për mbrojtje të ambientit e gjëra të tilla”.

Duke folur për lajmi.net, Rrustemi tha se KQZ-ja nuk është përgjegjëse për të marrë vendim për ndalimin e promovimit përmes posterëve pasi, sipas tij, kjo gjë parashihet edhe me ligj.

Ai thotë se nuk është në rregull që një vendim i tillë të merret vetëm pak orë para fillimit zyrtar të fushatës, pasi që subjektet politike kanë filluar të shtypin posterët.

“Mendoj që nuk është në përgjegjësinë e KQZ-së për të vendosur për gjëra të tilla, e aq më tepër për të vendosur subjekte politike dhe kandidatët se çfarë produkte promovuese mund të përdorin, gjersa ligji thotë se ata mund të përdorin çfarëdo lloj komunikimi, posterë, afishe e kështu me radhë”.

“Mendoj që është vendim i padrejtë, duke pasur parasysh që po merret si vendim vetëm disa orë para fillimit të fushatës zgjedhore, gjersa subjektet politike tashmë kanë filluar të planifikojnë dhe të shtypin produkte të tilla”.

“Patjetër që ky vendim cenon të drejtën e secilit që të promovojë veten. KQZ-ja nuk duhet të përfshihet në situata të tilla, të ndërhyjë se me çfarë kanali të komunikimit të përdorin subjektet politike për promovimin e tyre”, tha për lajmi.net Rrustemi.

Përfaqësuesit e partive të tjera në KQZ janë pajtuar për ndalimin e posterëve nëpër rrugë të qyteteve kosovare gjatë fushatës zgjedhore, që zyrtarisht fillon nga dita e nesërme, 28 maji.