Vendimi për faljen e borxheve të qytetarëve, i guximshëm dhe i mirë

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i shlyer borxhet e qytetarëve nga viti 1999 deri më 2008, po vlerësohet si i mirë dhe i guximshëm. Kështu e ka cilësuar të paktën eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, por shton se në këtë vendim do duhej të përfshiheshin vetëm disa kategori të caktuara sociale.

Lajme

05/02/2015 15:21

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të iniciuar procedurën për faljen e borxheve të qytetarëve që kanë ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike, që nga periudha e pasluftës e deri më 31dhjetor të vitit 2008, është cilësuar si veprim i guximshëm nga njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi.

Ai ka thënë se këto borxhe për një kohë të gjatë po zvarriteshin dhe ishin ngarkesë për bizneset dhe individët.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale të Kosovës (STRAS), Ibrahim Rexhepi, në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se një veprim i tillë në vendet me probleme sociale, sikur rasti i Kosovës, nuk është një gjë e pa njohur.

“Vendim i guximshëm dhe i mire. Posaçërisht kur merret parasysh se këto borxhe po zvarriten për një kohe të gjate, po ngarkojnë bizneset dhe individët,të cilët nuk po arrijnë ti shlyejnë ato”.

“ Nga ana tjetër, gjykatat nuk kanë efikasitet që të mbyllin këto raste dhe të detyrojnë borxhlinjtë për pagese, ose të bëhet ekzekutimi i dhunshme, që sërish do të reflektonte keq te borxhlinjtë”. 

“Falja e borxheve apo amnistia, nuk është diçka e panjohur në praktikat e vendeve me ngarkesa e probleme sociale, prandaj të këtillë duhet kuptuar edhe vendimin qeverisë”, është shprehur ai.

Rexhepi ka thënë se vendimi i qeverisë për të falur borxhin për të gjitha kategoritë e bënë ekzekutivin edhe më të guximshëm.

Ai ka thënë se Kosova është dashur të shlyej borxhin për kategori të caktuara, ashtu siç ka bërë Kroacia.

“Kroacia ka bërë një amnisti të borxheve, por ajo ka përdorë kritere të caktuara, prej të cilave kanë përfituar popullata- borxhlinjtë që janë në pozitë të rëndë sociale, apo me pamundësi të pagesës”.

“Mendoj se edhe qeveria e Kosovës është dashur të përdorë kritere të caktuara, ashtu që të mos ndodhë amnistia e përgjithshme e këtyre borxheve”, ka deklaruar Rexhepi, për lajmi.net.

Ai nuk parasheh që ky vendim të ketë implikime buxhetore, pasi që sipas tij, këto para as qe kanë mundë të kalkulohen me përfitime për arkën e shtetit.

Kryeministri Mustafa, sot në mbledhjen e qeverisë ka bërë të ditur se ekzekutivi i vendit ka iniciuar procedurën për faljen e borxheve të qytetarëve që kanë ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike, që nga periudha e pasluftës e deri më datën 31 dhjetor 2008.

Qeveria ka marrë vendim për themelimin e një Komisioni Ekzekutiv për shqyrtimin e mundësisë për faljen e borxheve të personave fizik dhe juridik, ndaj institucioneve shtetërore dhe ndaj ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës.

Kryeministri ka deklaruar se Komisioni brenda një muaji do të shqyrtojë të gjitha mundësitë dhe do t’i rekomandojë vendimin Qeverisë së Kosovës. Ai ka vlerësuar se ky vendim do të stimulojë edhe më shumë zhvillimin ekonomik të vendit. (lajmi.net)