Vendimi për FAK varet prej vullnetit të Kuvendit

Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se janë të gatshëm qysh nesër të marrin vendimin për FAK, nëse ka vullnet nga Kuvendi. Ndërsa, Ministri Agim Çeku, theksoi se nuk ka arsye që kjo çështje të vonohet, pasi tani janë krijuar të gjitha kushtet.

Lajme

02/04/2014 15:19

Kryeministri Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, tha se qysh nesër mund të merret vendimi për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, nëse ka disponim nga ana e Kuvendit.

Deklaratat e kryeministrit, pasojnë vendimin e  Gjykatës Kushtetuese që ditë më parë i vlerësoi si të pranueshme amendamentet e propozuara për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

“Sa i përket Forcave të Armatosura të Kosovës, Qeveria është e gatshme qysh nesër të japë të gjitha opinionet dhe sqarimet e veta në Kuvend dhe ftojmë të gjitha Grupet Parlamentare që të marrin vendim sa më shpejt që është e mundur”.

“Eventualisht,  nëse ka disponim të gjitha çështjet që ndërlidhen me Qeverinë e Kosovës dhe Gjykatën Kushtetuese tani më janë të kryera”.

“Shpresojmë që Kryesia e Kuvendit të merr vendim, që nëse është e mundur, pse jo, Qeveria është e gatshme të procedojë dhe të kalojë edhe në Kuvend të nxjerrin vendimin për themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërkaq, Ministri i FSK-së, Agim Çeku, theksoi se tanimë janë krijuar të gjitha kushtet që këto ndryshime të procedohen në Parlamentin e Kosovës.

Sipas tij, nuk ka arsye që kjo çështje të vonohet.

“Ju informoj se edhe partnerët tanë ndërkombëtar janë të pajtimit dhe janë të mendimit që të mos ketë vonesa të panevojshme pëe procedim në Parlamentin dhe kjo sa më shpejt të ndodhë në mënyrë që të pasojë në plotësimet dhe ndryshimet e kornizës ligjore dhe pastaj të fillojmë me implementimin e rekomandimeve”.