Vendimi i kundërligjshëm i Haki Rugovës për pronat komunale

Komuna e Istogut që udhëhiqet nga Haki Rugova i LDK-së po e “shkarravit” pronën publike. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shumë keqpërdorime me pronën komunale në Raportin e auditmit për Komunën e Istogut gjatë vitit fiskal 2017, raport të cilin e ka publikuar sot.

Lajme

23/05/2018 20:09

Sipas Auditorit, Komuna ka dhënë me qira 61 prona komunale për shfrytëzim të përkohshëm, duke anashkaluar procesin e ankandit publik, si dhe përcaktimi i çmimit të qirasë në këto raste nuk është bërë në përputhje me Rregulloren Nr. 23/2013.

“Gjatë këtij viti, 36 shfrytëzues të pronës komunale, nuk kanë paguar fare qira dhe komuna nuk ka ndërmarr asnjë veprim për inkasimin e këtyre mjeteve. Për më tepër, në 11 raste kontratat për shfrytëzim të pronës nuk ishin valide, pasi që ka skaduar afati i kontratës. Vetëm në një rast gjatë vitit 2017 është vazhduar kontrata për shfrytëzimin e pronës duke u thirrur në ligjin e vjetër, i cili ishte shfuqizuar kohë më parë”, thuhet në raportin e auditimit për Komunë e Istogut, shkruan lajmi.net.

Andaj, Auditori ka shfaqur rrezikun që, dobësitë e identifikuara mund të rezultojnë me konkurrencë të limituar apo me më pak të hyra nga kjo kategori dhe trajtim jo të barabartë të palëve me rastin e përcaktimit vullnetar (paushall) të çmimeve. “Mungesa e kontrollit dhe mos aplikimi i masave adekuate pamundëson arkëtimin e të hyrave nga qiraja dhe rrit rrezikun e vjetrimit të kërkesave. Gjithashtu edhe operimi me kontrata të skaduara privon komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarve gjyqësore në raste të mos inkasimit të borxhit me kohë”, thotë Auditori.

Sipas raportimit të medieve, kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova në fund të mandatit të tij, në vitin 2017, kishte planifikuar që ta shpërblejë kompaninë e vëllezërve të tij “Macon”, me dhënien në shfrytëzim 5 hektarë të tokës komunale në Istog. Përveç kompanisë së familjarëve të tij, Rugova kishte planifikuar që t’i shpërblejë edhe disa kompani tjera me dhënien e tokës komunale në shfrytëzim.

Kjo kishte bërë që ta lëshojnë mbledhjen asambleistët e PDK-së, AAK-së, Vetëvendosjes dhe një kandidat i pavarur, duke bërë që mbledhja e kuvendit komunal të mos ketë kuorum dhe të ndërpritet.

Kontratat e fushatës

Por, sipas Auditorit, Komuna e Istogut vitin e kaluar ishte kujdesur që të nënshkruaj kontrata pa mbulesë të fondeve gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas Auditorit, në dy raste komuna ka nënshkruara kontrata në fund të vitit pa fonde të buxhetuara edhe për vitet e ardhshme. Kontratat: “Asfaltimi i rrugës lokale Selmon Tahirsyla, fshati Lluga” me 29/11/2017 me plan dinamik 60 ditë, si dhe “Betonimi i kanalit të ujitjes Vrell – Prigode” me 13/11/2017 me plan dinamik 50 ditë pune. Sipas Auditorit, në përputhje me kërkesat e Ligjit të Buxhetit nuk lejohet nënshkrimi i kontratave në fund vit për projekte, shpenzimet e të cilave pritet të behën në vitin e ardhshëm. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur buxheti për një projekt të tillë është planifikuar edhe për vitet e ardhshme.

“Kontratat për projektet të cilat nuk mund të përfundojnë në vitin aktual dhe potencialisht do të kenë shpenzim të pa planifikuara edhe në vitin e ardhshëm, rrisin rrezikun e dështimit të tërësishëm të projektit apo rritjen e obligimeve pa mbulesë”, ka shfaqur rrezikun Auditori.

Pagesa pa dëshmi të mjaftueshme

Gjatë testimit të pagesave Auditori ka verjetur që në dy rastet në vijim ishin realizuar pagesa pa siguruar dëshmi të mjaftueshme për kryerjen e shërbimeve:

Pagesa në vlerë 638euro, për “Krijimin e sistemit të unifikuar të adresave në komunën e Istogut” është realizuar pa dëshmi për realizmin e shërbimeve; dhe Pagesa në vlerë 15,000 euro për “Mirëmbajtën e rrugëve lokale të rendit të katërt në Komunën e Istogut” është realizuar bazuar në raportin e përgatitur nga komisioni për punët e kryera, sipas të cilit kompania ka bërë shtrimin e rrugëve me zhavorr në lokalitete të ndryshme të komunës, por nuk tregohet saktësisht se cilat rrugë si dhe sasinë e punëve të realizuara.

“Pagesat në mungesë të dëshmive apo mos definimi i punëve, shërbimeve të pranuara rrit rrezikun e pagesave në mungesë të furnizimit apo furnizimit jo në përputhje me kontratën. Kjo mund të ndikoj edhe në dëmtim të buxhetit”, ka shfaqur rrezikun Auditori, duke e rekomanduar kryetarin e Komunës që të forcojë kontrollet në procesin e pagesave për tu siguruar se pagesat do të realizohen vetëm pas ofrimit të dëshmive të mjaftueshme për kryerjen e punëve/shërbimeve të kontraktuara.

Hyrja në obligime pa disponueshmëri të mjeteve buxhetore

Komuna ka filluar ndërtimin e 10 shtëpive sipas projektit “Ndërtimi i shtëpive për të pastrehët në Komunën e Istogut”, duke tejkaluar buxhetin në dispozicion prej 95,000 euro. Kontrata e nënshkruar me 13/07/2017 përcakton vetëm çmimin për njësi/shtëpi në vlerë 10,679 euro, por nuk specifikon numrin e shtëpive që duhet ndërtuar.

“Hyrja në obligime pa mbulesë buxhetore është në kundërshtim me LMFPP dhe rrit rrezikun që komuna të paguajë ndëshkime mbi vonesat, duke shkaktuar kështu vështirësi buxhetore për vitet pasuese”.

Auditori i ka dhënë 16 rekomandime Komunës së Istogut lidhur me të gjeturat. /Lajmi.net/