Vendimet ‘kundërthënëse’ të Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka luajtur rolin vendimtar në procesin tetëvjeçar politik të Kosovës, duke nxitur zgjedhje dhe duke prishur koalicione. Gjatë tetë vjetëve Kushtetuesja ka rrëzuar dy presidentë, ka propozuar një mandatar dhe ka prishur dy koalicione.

Lajme

17/04/2016 09:04

Gjatë tetë vjetëve të shtetësisë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka luajtur rolin vendimtar në proceset politike të vendit, duke rekomanduar shkarkim presidentësh, caktim të mandatarit qeveritar, zhbërje marrëveshjesh e vendime të tjera.

Për opozitën dhe analistët politikë e juridikë, disa nga vendimet e gardianit të Kushtetutës kanë qenë kundërthënëse, të padrejta dhe të ndikuara politikisht, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ndër vendimet që ka marrë kjo Gjykatë gjatë tetë vjetëve të kaluar kanë qenë: rasti “Sejdiu”, rasti “Pacolli”, “Mandatari i Qeverisë”, “Marrëveshja e Asociacionit” dhe rasti “Thaçi”.

Njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se vendimet “e padrejta” në këto pesë raste kanë bërë që Kushtetuesja ta humbë kredibilitetin, të cilin do të duhej ta gëzonte si institucioni përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.

Për më tepër, analistët vlerësojnë se Gjykata Kushtetuese në disa raste i ka tejkaluar kompetencat e veta, duke dalë kështu si një pushtet i katërt./Zëri