Vendimet e BE’së ushqejnë destabilitetin

Shumë evropiano-perëndimorë ushqejnë stereotipe raciste për shqiptarët si kriminelë, të varfër dhe të dëshpëruar për t'u sulur drejt Evropës Perëndimore.

Opinion

27/01/2014 20:14

Shtyrja e statusit kandidat të Shqipërisë mund të ndezë temperaturën politike dhe të minojë stabilitetin rajonal. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009, por Këshilli Evropian ka refuzuar katër herë që të japë statusin dhe të çelë bisedimet e aderimit.

Parlamenti hollandez votoi kundër dhënies së statusit, duke i penguar liderët e BE-së që të miratojnë propozimin. Disa vende anëtare u pajtuan me qëndrimin hollandez. Në Tiranë mund të shtohet shqetësimi se samiti i BE-së në qershor do të shtojë kushtet të tjera teksa fryma kundër zgjerimit rritet.

Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Stefan Fule mbeti i zhgënjyer nga vendimi dhe lëvdoi Tiranën zyrtare për reformat. Ai pohoi se dhënia e statusit kandidat ka rëndësi jo vetëm në nxitjen e reformave në Shqipëri, por edhe për besueshmërinë e BE’së.

Mbas viteve me kritika, zgjedhjet e fundit plotësuan më në fund standartet ndërkombëtare. Mirëpo, vendimi i BE-së mund të hedhë dyshime nëse Shqipëria do të bëhet ndonjëherë pjesë e BE’së.

Shumë evropiano-perëndimorë ushqejnë stereotipe raciste për shqiptarët si kriminelë, të varfër dhe të dëshpëruar për t’u sulur drejt Evropës Perëndimore. Në këtë tablo përfshihen dhe prirjet anti-muslimane. Liderët politikë mund të shfrytëzojnë frikën e publikut duke argumentuar se mbas hapjes së kufijve për rumunët dhe bullgarët në vitin 2014, rrjedhjet e ardhshme të shqiptarëve, boshnjakëve dhe të tjerëve duhet të ndalohen.

Dhe vërtet, Kryeministrit britanik David Cameron ka kërcënuar me veto pranimin e anëtarëve të rinj të BE-së nëse Brukseli s’i vë frerë lirisë së lëvizjes. Ai mund të bllokojë Shqipërinë dhe shtetet e Ballkanit nëse s’ka kufizime të rrepta mbi emigrimin e qytetarëve të BE-së dhe vendet e tyre të punës dhe sigurimet sociale.

Shqiptarët do ta krahasojnë fatin e tyre me atë të Serbisë dhe do të nuhasin diskriminim nga disa qeveri të BE’së. 

Ndonëse Shqipëria e Serbia kanë arritur rezultate të krahasueshme në plotësimin e kushteve të BE-së, jo vetëm që Serbia mori statusin e kandidatit në mars të 2012, por vendi ka çelur dhe bisedimet e anëtarësimit. Këshilli i BE-së përllogarit se hapat drejt hyrjes në BE zbrapsin nacionalizmin serb.

Këmbyerazi, vendimi i BE’së mund t’i shtyjë disa aktivistë politikë të konkludojnë se vetëm duke e kërcënuar rajon me nacionalizëm radikal, Shqipëria ka për t’u parë seriozisht si anëtare e ardhshme e BE’së.

(AS)