Vendim i çuditshëm i AKP-së, mbyll fabrikën e 186 punëtorëve

Aleanca Kosovare e Bizneseve reagoi ashpër kundër masave të përkohshme të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në Fabrikën e magnezitit në Golesh.

Lajme

27/10/2014 18:05

Kreu i AKB-së, Agim Shahini tha se me këtë vendim AKP-ja e mbylli një prodhues vendor, i ndali investimet e mëtutjeshme në këtë fabrikë, të vetmen në rajon, i largoi nga vendi i punës 186 punëtorë, i frikësoi investitorët e ardhshëm që të mos ofertojnë në procesin e privatizimit.

“Investimet e investitorit kosovaro-kroat vetëm deri në vitin 2013 kapin vlerën financiare të 24 milionë eurove, ndërsa në vitin 2014 edhe 4 milionë euro tjera, që gjithsejtë janë 28 milionë euro”, ka thënë Shahini, raporton koha.net.

Sipas tij, AKP-ja dhe shumë agjenci tjera të pavarura po e shfrytëzojnë vakuumin institucional dhe po marrin vendime me borde jo të kompletuara. Ai ka shtruar se kjo agjenci ka marrë një vendim dhe për këtë fare nuk e ka informuar investitorin.

Shahini ka njoftuar se në kuadër të Programit të Javëve të Biznesit Kosovar 2014 është paralajmëruar se do të hapet një fabrikë më 5 nëntor 2014, e vetmja në rajon, ku do të punësohen mbi 200 punëtorë në fazën e parë, dhe prodhimi i tij është 90% për eksport.

Tash në këtë fabrikë, sipas Shahinit, janë të pëfrshira në mënyrë direkte dhe indirekte më shumë se 8 shtete me investitorë të saj.

Ndërkaq, investitori i Fabrikës së Magnezitit në Golesh, Hysni Zogaj tha: “Vendimi i sotëm është vendim mbi vendimin që është në fuqi në afat ligjor dhe për çudi, sot, pasi që AKP-ja merr masat e përkohshme të shoqëruara me polici kanë ardhur në fabrikë dhe pas një ore, në prezencë të tyre i dërgohet vendimi me vonesë. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se AKP-ja nuk ka qenë bashkëpunuese dhe nuk e ka paralajmëruar investitorin për vonesa dhe vendime që do të merr në afat ligjor”.

Ndërsa Bashkim Osmani, pronar i fabrikës “Laberion”, tha se ndihet shumë i shqetësuar nga ky lajm që po mbyllet një fabrike prodhuese në Kosovë dhe “më frikëson edhe mua si prodhues se çfarë politikash aplikohen në Kosovë”.

Suad Berisha, pronar nga “Universum”, tha se “186 familje që mbetën në rrugë do t’i ngarkohen buxhetit të shtetit si raste sociale ose do të mësyjnë rrugët e Evropës për të siguruar kafshatën e gojës”. (koha.net)