Vendet që ‘vuajnë’ nga alkooli

Jo vetëm pijedashës, por edhe me probleme në lidhje me alkoolin, këto janë shtetet ku popullatat vuajnë seriozisht nga të qenët i/e alkoolizuar.

Fun

10/11/2015 22:10

Alkoolizmi është një sëmundje e influencuar nga gjenet dhe stili i jetesës me simptoma të parashikueshme dhe që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shumë vende të botës kanë një përqindje të lartë të njerëzve me probleme me përdorimin e alkoolit.

Vetëm në SHBA, vdekjet që lidhen me alkoolin renditen të tretat në shkaqet e parandalueshme të vdekjeve. Në vitin 2013, 24.6 për qind e njerëzve nga mosha 18 e lart, raportonin të kishin konsumuar alkool.

Llogaritë tregojnë se në vitin 2006, problemet e abuzimit me alkoolin i sollën SHBA-së 223.5 miliardë dollarë kosto. Në një klasifikim global të prevalencës së alkoolit dhe sëmundjeve, Italia dhe Irani patën numrin më të ulët të abuzimit me alkoolin.

Tre shtete në Paqësorin Jugor, Samoa, Ishujt Marshall dhe Palau, nuk kishin aspak probleme të abuzimit me alkoolin. Kjo është disi e befasishme, pasi një tjetër shtet i Paqësorit Jugor, Niue, është në krye të listës së abuzuesve.

Këto janë 10 shtetet që sipas OBSH kanë probleme me alkoolin te meshkujt dhe femrat nga mosha 15 vjeç e lartë:

Kolumbia

Rreth 10.33 për qind e meshkujve të rritur në Kolumbi dhe 2.55 për qind e femrave në moshë madhore, raportohen se kanë probleme me konsumin e alkoolit. Vendi ka gjithashtu normën e tretë më të lartë të femrave që raportojnë se kanë probleme me alkoolin pas Federatës Ruse dhe Australisë.

Niue

Një ishull gati i panjohur, Niue, ndodhet në Paqësorin Jugor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, 10.58 për qind e burrave kanë probleme me alkoolin në këtë shtet ishullor dhe e njëjta gjë mund të thuhet për 0.34 për qind të femrave të rritura.

Britania

Me rreth 11.09 për qind të meshkujve që kanë probleme me alkoolin dhe 1.62 për qind të femrave në moshë të rritur, Britania e Madhe ia ka dalë të përfshihet në listën e shteteve që jo vetëm e duan pijen, por edhe e pësojnë prej saj.

Bjellorusia

Nuk kishte si t’i mungonte listës Bjellorusia, e cila është pjesë e një tradite të konsumit të alkoolit, që ndikon edhe sot te 11.43 për qind e burrave dhe 1.69 për qind e grave.

Letonia

E ndodhur mes Estonisë dhe Bjellorusisë, Letonia raporton se 11.54 për qind e meshkujve të rritur kanë probleme me alkoolin dhe 1.67 për qind e grave janë të prekura nga këto çrregullime shëndetësore.

Koreja e Jugut

Republika e Koresë, e njohur ndryshe si Koreja e Jugut, ka probleme me alkoolin në 13.1 për qind të popullatës mashkullore dhe te 0.41 për qind të popullatës femërore.

Lituania

Fqinjët e Letonisë dhe Bjellorusisë nuk i ndahen traditës. Me 13.35 për qind të meshkujve të rritur që kanë probleme me alkoolin dhe rreth 2 për qind të femrave, ekspertët spekulojnë se kjo vjen për shkak të mungesës së përpjekjeve nga ana e shtetit për të ndërgjegjësuar shtetasit që të ndërpresin konsumin e alkoolit.

Moldavia

Në Republikën e Moldavisë, një vend i Europës Lindore mes Rumanisë dhe Ukrainës, 14.08 për qind e burrave të moshës së rritur deklarojnë se kanë çrregullime që lidhen me alkoolin dhe të njëjtën gjë pohojnë 2.15 për qind e grave.

Hungaria

Në Hungari, vendi i dytë i këtij klasifikimi, 15.29 për qind e meshkujve raportojnë se kanë probleme me alkoolin, shifër kjo që te femrat shkon 2.27 për qind.

Rusia

Vendi numër një për përdorimin e alkoolit dhe për problemet që e shoqërojnë atë është Federata Ruse, ku 16.29 për qind e burrave janë alkoolikë dhe 2.58 për qind e grave gjithashtu. Ky vend ka gjithashtu përqindjen e dytë më të lartë të grave që kanë probleme me alkoolin, pas Australisë.