Vendet evropiane ftojnë qytetarët e tyre që të largohen nga Libia

Gjermania, Austria, Britania e Madhe dhe Franca sot u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të largohen nga Libia, për shkak të rritjes së dhunës në vendin afrikan.

Bota

28/07/2014 00:43

Gjermania i ka këshilluar të gjithë qytetarët e saj që aktualisht ndodhen në Libi që menjëherë të largohen nga vendi.  

“Situata është jashtëzakonisht e paparashikueshme dhe e pasigurt”, deklaroi Ministria e Punëve të Jashtme, duke shtuar se “ekziston një rrezik në rritje që qytetarët gjermanë të kidnapohen dhe sulmohen”.  

Franca u bëri thirrje gjithashtu të gjithë qytetarëve të saj që të largohen nga Libia.

“Të gjithë qytetarët tanë janë të ftuar që sa më shpejt të jetë e mundur të bien në kontakt me ambasadën franceze në Tripoli”, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme.

Britania e Madhe i ka paralajmëruar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë për në Libi, si dhe ata që tashmë janë atje, të largohen për shkak të konflikteve të shpeshta në vend, në të cilat ditëve të fundit u vranë 60 njerëz.

Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Libi edhe Austria vendosi të reduktojë numrin e personelit në ambasadën e saj në Tripoli.

Holanda sot përsëriti një paralajmërim për qytetarët e saj që të mos udhëtojnë për në Libi dhe bëri thirrje që 70 holandezët që ndodhen atje ta lëshojnë vendin, raporton AFP.

“Dyzet qytetarët holandez të regjistruar në ambasadën në Tripoli u paralajmëruan me SMS dhe e-mail”, se Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, është duke u përgatitur për mbyllje të përkohshme të ambasadës.

Në përleshjet midis forcave të sigurisë dhe militantëve islamikë të Libisë në qytetin libian Bengazi në natën e të shtunës la të vrarë të paktën 36 njerëz, duke përfshirë edhe shumë civilë. 

Përveç kësaj, 23 persona, punëtorë egjiptianë, u vranë në kryeqytetin Tripoli, kur një raketë goditi një shtëpi gjatë luftimeve ndërmjet formacioneve rivale rreth aeroportit kryesor të vendit, raportoi agjencia shtetërore egjiptiane e lajmeve. 

Departamenti i Shtetit dje mbylli ambasadën e SHBA-së në Libi dhe evakuoi personelin për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Tripoli dhe intensifikimit të konfliktit ndërmjet grupeve rivale paramilitare.

Kjo është hera e dytë në më pak se tre vjet që Uashingtoni ka mbyllur ambasadën e saj në Libi.

Ambasada u mbyll për herë të parë në muajin shkurt të vitit 2011. (lajmi.net)