Vendet e rezervuara dhe Privilegjet

Nuk janë problem vendet e rezervuara, por privilegjet bllokuese të pakicave.

Opinion

23/12/2013 13:03

Si zakonisht debati tek ne bëhet për çështjen më anësore të çështjes, për vazhdimin apo jo të vendeve të rezervuara, pra për numrat e deputetëve serbë dhe të pakicave të tjera në Kuvend, e jo për atë që është thelbësore: fuqinë e madhe juridike që ata kanë e që u jep atyre mundësi për ta bllokuar dhe bërë jo-funksional shtetin e Kosovës.

1. Përpjekjet për reformën zgjedhore, e cila mendohet të prekë edhe Kushtetutën Kosovës, treguan sesa pengesa ka për ndryshimin e kësaj kushtetute. Ndonëse shumica e partive politike shqiptare u pajtuan që të ketë ndryshime kushtetuese, madje patëm edhe një pajtim për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët, partitë politike serbe shfrytëzuan të drejtën kushtetuese (çdo ndryshim i Kushtetutës kërkon votën e 2/3-ve të deputetëve të pakicave si shtesë të 2/3-ve të tërë deputetëve të Kuvendit të Kosovës) që ta bllokojnë këtë nismë, duke kërkuar që t’u vazhdohet mandati i vendeve të rezervuara me kushtetutë edhe së paku për dy palë zgjedhje dhe të mos futet në veprim parimi i vendeve të garantuara që duhet të vlej prej zgjedhjeve të ardhshme.

Të gjithë ne kritikët e sistemit kushtetues të Kosovës, i cili buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe procesi i pavarësisë së Kosovës, vinim theksin mbi faktin se kjo kushtetutë, e cila u jep pakicave mundësi bllokimi shtetit të Kosovës, e rrezikon ta kthejë atë në një shtet jofunksional. Krijohej përshtypja, nga përkrahësit e një sistemi të tillë, se ne që kritikonim këtë sistem, hallin e kishim vetëm tek bashkimi kombëtar, që kjo kushtetutë e ndalon në nenin e saj 1.3 dhe tek të “drejtat” e shumta që u jepeshin serbëve, e për të cilat ne ishim kundër.

Natyrisht që ndalimi me kushtetutë i mundësisë për të organizuar referendum për një çështje të tillë, është një shkelje e rëndë  e parimeve demokratike si dhe i sovranitetit të shtetit të ri, e mbi të gjitha i vullnetit sovran të qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu jo të drejtat, por privilegjet e pakicave janë ato që e dëmtojnë funksionimin e shtetit të Kosovës.

Por ja që shumë shpejt u kuptua se ky bllokim mund të vij edhe për çështje më të “vogla”, siç është reforma zgjedhore dhe nuk lidhet vetëm me çështjen e pamundësisë kushtetuese për referendum për bashkim kombëtar, apo për të “drejtat” e serbëve.

2. Çështja e vendeve të rezervuara dhe atyre të garantuara na fut në temën e përfaqësimit të pakicave në Kuvendin e Kosovës.

Duke qenë se shumica e pakicave në Kosovë janë në numër të vogël, dhe e kanë vështirë të arrijnë kufirin prej 5% (këtë edhe partitë serbe mund ta arrijnë vetëm në variantin e ndonjë koalicioni të madh dhe daljeje masive në zgjedhje), ajo që quhet diskriminim pozitiv, por që unë preferoj ta përdor terminologjinë alternative, masat afirmative, janë domosdoshmëri për të pasur përfaqësim të të gjitha pakicave në Kuvendin e Kosovës dhe rrjedhimisht për të krijuar kushte të përfaqësimit të tyre edhe në ekzekutivin e vendit.

Dhe ky parim përdoret nga shumë shoqëri, që duan t’u ofrojnë mundësi grupeve të vogla etnike të kenë përfaqësim në institucionet e vendit.

Por problemi themelor nuk qëndron tek vendet e rezervuara apo të garantuara si të tilla, madje në fund të fundit, sado i deformuar që është, e sado probleme që mund të shkaktojë edhe në mënyrën e formimit të koalicioneve qeverisëse, as nga numri i deputetëve që vijnë nga pakicat (që me vende të rezervuara do ta kalojë numrin 20), por tek fuqia e tyre juridike.

Ne si shoqëri, vetë e diskriminuar nga shtypja e gjatë, duhet vërtet të jemi shembull sesi i trajtojmë pakicat dhe duhet të jemi zemërgjerë në të drejta. Ama në të drejta. Kjo që ne po flasim këtu, nuk janë të drejta, këto janë privilegje të padrejta, që krijojnë situatën e tiranisë së pakicës.

Këto privilegje, i japin të drejtë 5% të popullsisë të bllokojnë vullnetin politik të mbi 90% të shumicës së popullsisë së Kosovës. Dhe një situatë e tillë, jo që i jep rrugë një shteti qytetar si e proklamojnë disa shtetin e Kosovës (në utopitë e tyre teorike) si kundër peshë të asaj që e quajnë ata dëshirë për shtet etnik të shqiptarëve, po i thellon ndarjet etnike në Kosovë, i barrikadon ata në vija etnike, duke i shndërruar privilegjet e pakicave, në rrezik për realizimin e të drejtave të tyre qytetare dhe kombëtare.

Pra duke pasur pakicat, e në këtë rast sidomos pakica serbe, privilegjet bllokuese raporti i tyre me shumicën shqiptare nuk mund të normalizohet, mbi të gjitha sepse shumica do t’i akuzojë gjithmonë për bllokimin e funksionalitetit të shtetit.

Në një situatë të tillë, tani kur po shtrohet për diskutim çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe kërkesa e pakicës serbe dhe të pakicave të tjerave për vazhdim të vendeve të rezervuara, shumica shqiptare do të mund të bënte një kundër-ofertë racionale për pakicat duke pranuar kërkesën për vazhdimin e vendeve të rezervuara (qoftë edhe me afat të pakufizuar) me heqjen e privilegjeve bllokuese që ata kanë në Kushtetutën e Kosovës si dhe me heqjen e paragrafit 3 të nenit 1 të Kushtetutës, e cila pamundëson bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, nëse ky do të ishte vullneti i qytetarëve të Kosovës.

Nuk kam dyshime se ata do ta pranonin, por do të ishte së paku një sinjal kthjellimi që politika jonë do ta dërgonte për këtë çështje.

3. Bisedimet me Serbinë ishin një moment i artë, që ne të ishim të guximshëm dhe të shtronim për zgjidhje me Serbinë të gjitha problemet e hapura që i kemi.

Pra të mos bisedojmë vetëm për veriun e Kosovës dhe të drejtat e serbëve, por edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.  Dhe në këtë drejtim të vendosim reciprocitetin si parim të zgjidhjes së këtyre problemeve dhe mjeshtërisht me një marrëveshje të re politike me Serbinë, të krijojmë kushtet politike për ndryshime kushtetuese që do të reflektonin vullnetin e qytetarëve, në radhë të parë duke i hequr privilegjet bllokuese që kanë pakicat në Kuvendin e Kosovës.

Fatkeqësisht, këto bisedime prodhuan,  jo zgjidhje të çështjes shqiptaro-serbe, por fuqizim të jo-funksionalitetit të shtetit të Kosovës, përmes krijimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila së bashku me fuqinë juridike që i ka garantuar Kushtetuta pakicës serbe, bëhen një gur i rëndë në qafën e shtetit të brishtë të Kosovës. Apo më mirë thënë, Kosova po shndërrohet në një shtet të lidhur me zinxhir, dhe çelësi i drynit të zinxhirëve i është dhënë pakicës serbe dhe indirekt edhe shtetit serb.

Paradoksalisht për Ahtisaaristët, me integrimin formal të veriut  të Kosovës në institucionet e Kosovës,  ndonëse do të kemi një sovranitet formal në veri, nuk do të kemi fuqizim të shtetit të Kosovës, për më tepër do të rritet jo-stabiliteti i këtij shteti.  Në këtë situatë ne mund t’u gëzohemi sa të duam zgjedhjeve në veri, apo mund të hidhërohemi se fitoi Lista Srpska, dhe mund të inatosemi se vendet e rezervuara do të rikthehen në Kushtetutën tonë,  problemi themelor mbetet: Kosova shtet jofunksional, me marrëdhënie të tensionuara etnike e me pengesa të mëdha në rrugën e integrimeve kombëtare dhe evropiane.

Dhe për ta zgjidhur lëmshin duhet të kthehemi tek themeli i problemit. E ai nuk është numri i serbëve të përfaqësuar në Kuvend, por fuqia juridike që kanë këta deputet. E për ta zgjidhur këtë ne si shoqëri duhet ta kuptojmë se duhet të çlirohemi nga koncepti Ahtisarist për shtetin e Kosovës, e me shumë kujdes të gjejmë rrugë politike për ta tejkaluar këtë rregullim kushtetues që pengon funksionimin normal të shtetit të Kosovës dhe ndalon shprehjen e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës.