Vëllau i Arsim dhe Burim Ramadani: Rast i montuar, jemi të pafajshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që me dekret t’u falë dënimin vëllezërve Arsim dhe Burim Ramadani, si dhe Arben Kiçinës.

Lajme

29/12/2017 21:28

Në ndërkohë, vëllau i Arsim dhe Burim Ramadanit, Faton Ramadani, në një intervistë në lajmet qendrore të Klan Kosovës tha se ka kohë që po kërkojnë drejtësi.

“Me të thënë të drejtën, nuk e kemi pritur që ndodh kjo. Që 15 vjet kërkojmë drejtësi, kemi kërkuar në secilat organe të sistemit të drejtësisë, kemi dërguar ambasadave të huaja kërkesa që të ndërprejnë këtë padrejtësi, prej të gjitha ambasave, vetëm Ambasada Gjermane janë interesuar për këtë rast kurse të tjerët jo”.

“Te presidenca kemi dërguar një kërkesë të thjeshtë që përmes faljes të ndërpritet padrejtësia dhe fare nuk e kemi pritur që ndodh, por ja ndodhi”.

Ramadani ka thënë se të gjitha provat dhe faktet flasin se rasti ishte i montuar.

“Na është dhënë mundësia edhe më shumë që të jenë edhe ata dy jashtë që të kërkojmë drejtësi dhe nuk do të ndalemi derisa të del e vërteta, ne jemi të pafajshëm, të gjitha provat dhe argumentet tregojnë se jemi të pafajshëm”.

“Ka qenë rast i montuar, pikërisht vetëm për tu mbyllur vrasësit e vërtetë. Këtë montim e ka bërë Fadil Syloviqi me ekipin e tij që i kanë shërbyer UDB-së përpara, pastaj policisë dhe ndërkombëtarë e kanë bërë këtë lojë shumë të madhe me mbyll këtë krim të rëndë me njerëz të pafajshëm”.

Vëllezërit Ramadani para se të shkojnë në vendlindjen e tyre, në Baincë, kanë shkuar në Prekaz.

“Kemi nderuar heronjtë prej të cilëve e kemi lirinë”.

Burim e Arsim Ramadani dhe Arben Kiqina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001.