Vëllai i Naim Bazajt punësohet në Postë

Fitim Bazaj është punësuar në Postë si postier. Fitimi është vëllai i ish-kandidatit të pavarur për Kryetar të Komunës së Drenasit, Naim Bazaj, i cili e kishte tërhequr kandidaturën e tij për të përkrahur kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovcin.

Lajme

28/03/2017 14:10

Naim Bazaj, kryesues i Kuvendit Komunal të Drenasit ishte revoltuar me vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës për ta kandiduar për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin.

 Ai e kishte shpallur kandidaturën për kryetar të Drenasit si kandidat i pavarur. KQZ-ja e kishte pranuar kandidaturën e tij dhe i njëjti ishte futur në fletëvotim për kryetar komune si kandidat i pavarur.

Por, disa ditë para se të niste fushata parazgjedhore, Naim Bazaj ishte tërhequr nga gara për kryetar të Drenasit. Tërheqja ishte bërë në prani të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në një tubim të organizuar nga Bazaj.

Disa muaj më vonë, Fitim Bazaj, vëlla i Naim Bazajt është punësuar në Postën e Kosovës. Gazeta Jnk e ka siguruar listën e personave të pranuar në Postën e Kosovës.

Fitimi është në mesin e kandidatëve të sukesshëm në konkursin e postës për të punësuar 22 persona me gjysmë orari. Në këtë konkurs kishin aplikuar 850 persona.

Fitim Bazaj i kishte marrë 42 pikë në testin me shkrim, ndërsa 46 pikë në intervistë, duke i grumbulluar 88 pikë nga 100 pikë maksimale.

Punësimin e Fitim Bazajt në postë e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, Naim Bazaj.

“Po është pranuar, normal”, tha Bazaj.

Por, ai insiston se nuk ka ndikuar në punësimin e vëllait të tij. Madje thotë se ai ka pasur dëshirë që hiq mos me u pranu vëllai i tij në punën në postë.

“Për çka me ndiku, ai ka apliku vetë, s’kam pas nevojë me i ndihmu. Unë menxi s’kam prit me më thanë, valla s’po ta marr në punë”, tha Bazaj.

Pyetjen për punësimin e vëllait, Naim Bazaj e quajti të bajatshme. Na sugjeroi pyetje të tjera që duhet t’i bëjmë.

“Po pse si këqyrni ju disa gjëra tjera. Për shembull pse nuk thoni që gjatë luftës ka qenë vetë i gjashti e i shtati në luftë edhe mundesh me thanë pse jeni kanë në luftë të gjithë? Pse nuk thoni, pse jeni kanë në luftë, por pse t’u ka pranu vëllai në punë. A s’ju vjen turp me pyet kështu, po doket si bajat”, tha ai.

Naim Bazaj është pyetur nëse punësimi i vëllait në Postën e Kosovës ka qenë pjesë e marrëveshjes për tërheqjen e kandidaturës së tij për kryetar të Komunës së Drenasit dhe mbështetjen e kandidatit të PDK-së, Ramiz Lladrovci.

“Kjo nuk është absolut, hiq”, tha ai. “A e din kur ju tregoj marrëveshjen çfarë marrëveshje kam pasë, mbas muajit qershor mbasi po kërkoni. Se nuk është punësim bajagi… a e din çfarë punësimi është ai, është me gjysmë orari”, tha Bazaj.

Por, ai ka qenë i vetëdijshëm që opinioni do ta ndërlidhte punësimin e vëllait në postë me tërheqjen e tij.

“Me ta thanë të drejtën kam pas dëshirë mos me marrë hiq në punë, mos me më thanë tani rreth kësaj marrëveshje. Nuk është kjo marrëveshje. Marrëveshje kish me qenë sikur t’i kisha shti 50-60 përnjëherë, por nuk kam marrëveshje. Edhe për mu kanë thanë se do të bëhet drejtor ekzekutiv i postës, por nuk qëndron ajo”, tha Bazaj./Kallxo.com/