Veliaj: Të ulim përdorimin e veturave në Tiranë

Erion Veliaj ishte i pranishëm në konferencën “Zvogëlimi i ndotjes së ajrit – përmirësimi i shëndetit të fëmijëve”, organizuar në Gjenevë.

Lajme

01/11/2018 15:32

Tirana është përzgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një nga qytetet që ka ecur më shumë në politikat për përmirësimin e ajrit, mjedisit e pastërtisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në konferencën “Zvogëlimi i ndotjes së ajrit – përmirësimi i shëndetit të fëmijëve”, organizuar në Gjenevë, ku morën pjesë ministra, kryetarë bashkish, krerë të organizatave ndërqeveritare etj, për të diskutuar mbi sfidat dhe gjetjen e zgjidhjeve për uljen e ndotjes.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Tirana ka bërë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me tre vite më parë, por ende mbetet shumë punë për të bërë.

“Jam shumë i lumtur sa herë që Tirana përmendet për mirë dhe zë një pjesë të vëmendjes ndërkombëtare për të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur. Jam sot krenar që Tirana është përzgjedhur si një nga qytetet që ka avancuar më shumë në politikat për përmirësimin e ajrit, mjedisit, pastërtisë. Kur mendoj si e filluam tre vite më parë, nuk kishim një kompani që bënte pastrimin e qytetit, kur mendoj se nuk kishim një landfill modern, kur mendoj se si sheshi “Skënderbej” ishte pushtuar nga makinat, Pazari i Ri me makina, Parku i Liqenit i shpartalluar, them se kemi bërë shumë punë, por ende mbetet shumë punë për të bërë”, tha ai.

Duke cituar raportin e OBSH, e cila jep alarmin se fëmijët e vegjël janë ata që e vuajnë më shumë ndotjen që vjen veçanërisht nga makinat, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të reduktojnë në maksimum lëvizjen me mjete. “Një nga gjërat më shqetësuese sot ishte raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila thotë se fëmijët, sidomos fëmijët e vegjël, janë ata që e vuajnë më shumë ndotjen e qyteteve. Ne jemi një qytet që nuk ka industri, nuk ka fabrika, nuk ka uzina, nuk ka oxhaqe, por ka shumë makina. Nga ky raport dalim në përfundimin se reduktimi i përdorimit të makinës për distancat e shkurtra, për të shkuar nga kafja në kafe ose nga shtëpia te furra e bukës, kur fare mirë mund të ecet në këmbë ose me biçikletë, rrit ndjeshëm cilësinë e ajrit dhe cilësinë e jetesës në Tiranë”, tha Veliaj, transmeton “Tch”.

Ai nënvizoi se prioritet i Bashkisë së Tiranës është vijimi i axhendës mjedisore, për më shumë hapësira pedonale, mbjelljen e një numri rekord pemësh dhe uljen e përdorimit të makinës. “Sot dëgjuam nga ekspertët shembuj suksesi si Tirana, që ka bërë përparime, por edhe shembuj shqetësues se si mendohet se një nga shkaqet, edhe pse nuk është përfundimtare, të sëmundjeve si autizmi, por definitivisht të gjithë rrugëve të frymëmarrjes, ka të bëjë me cilësinë e ajrit. Ndaj, inkurajimi që marrim për ta avancuar axhendën tonë mjedisore është që të kemi më shumë hapësira pedonale, të thyejmë rekordin tonë të mbi 100 mijë pemëve edhe për këtë vit, dhe mbi të gjitha, të besojmë tek baballarët dhe nënat e Tiranës që të fillojnë dhe të reduktojnë përdorimin e makinës, si shkaku numër një i të gjitha sëmundjeve, dëmtimeve në tru apo edhe problematikave të tjera shëndetësore që vijnë nga ajri i ndotur në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Në vizitën e tij në Zvicër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Gjenevës, Sami Kanaan. Dy homologët shprehën gatishmërinë për të punuar së bashku në çështje me interes të përbashkët për dy qytetet.