Veç zgjedhje të parakohshme, Nisma nuk pranon tjetër gjë

Partia Demokratike e Kosovës është duke planifikuar t’i bëjë një ofertë opozitës lidhur me stabilizimin e shtetit.

Lajme

20/03/2016 19:12

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur ditë më parë nënkryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Shefi i GP-së të PDK-së, Adem Grabovci ka deklaruar sot se oferta që do t’i bëhet pozitës do të jetë transparente dhe në bashkëpunim me partnerët e koalicionit qeverisës.

Ai madje ka deklaruar se oferta nuk ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhje të parakohshme.

Mirëpo për partitë opozitare zgjedhjet e parakohshme mbeten opsioni i vetëm për të cilin do të uleshin dhe do të diskutonin.

Kështu është shprehur për Indeksonline, sekretari i Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi.

“Për Opozitën e Bashkuar pos zgjedhjeve të parakohshme çdo propozim tjetër as që do ta marrim në konsideratë. Përkundrazi kjo do të përbënte një përpjekje që qeveria të mbaj me çdo kusht pushtetin. Në situatën në të cilën gjendet vendi pas krizës pothuajse 8 mujore, asgjë pos zgjedhjeve të parakohshme nuk garanton dalje nga kjo krizë”, ka thënë Sherifi.

Ai më tej ka theksuar se çdo tentim tjetër do ta thellonte edhe më shumë krizën politike në vend se ta zgjidhte atë.

“Tentimi që përmes të ashtuquajturave oferta pa zgjedhje, në vend të zgjidhjes së krizës do ta thellojë edhe më shumë atë. Prandaj as Nisma dhe besoj as partitë tjera opozitare nuk do të pranonin të takohen me partitë në qeveri. Vetëm takimi për të caktuar datën e zgjedhjeve do të ishte arsye për tu takuar. Asgjë më pak”, u shpreh Sherifi./Indeksonline/